Kristian Vigenin, eurodeputet bullgar i grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve, vlerëson se Maqedonia e Veriut duhet të fitojë mbështetjen e qytetarëve të Bullgarisë nëse synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.
Të lidhura
None found
Në një deklaratë për “BNT”, Vigenin tha se vizitat e përfaqësuesve të Republikës së Maqedonisë së Veriut në kryeqytetet evropiane dhe përpjekjet e tyre për të gjetur rrugë drejt Parlamentit Evropian nuk janë të mjaftueshme. Sipas tij, ata duhet të sigurojnë përkrahjen e qytetarëve bullgarë dhe të mos e trajtojnë këtë çështje si të parëndësishme.
Eurodeputeti iu referua rezultateve të një ankete që ai kishte porositur nga agjencia lokale “Myara”. Të dhënat, sipas tij, dëshmojnë se bullgarët në përgjithësi e përkrahin zgjerimin e Bashkimit Evropian, por nuk kanë të njëjtin qëndrim ndaj secilit prej vendeve kandidate.
Vigenin sqaroi se opinionet pozitive janë më të përhapura, ndërsa përjashtim bëjnë Maqedonia dhe, në mënyrë të veçantë, Ukraina, ndaj së cilës vërehet një qëndrim më negativ.
Ai nënvizoi gjithashtu se marrëdhëniet ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë, gjatë viteve të fundit, jo vetëm që nuk janë qetësuar apo normalizuar, por kanë lëvizur në kahun e kundërt.
Për këtë arsye, sipas Vigenin, Maqedonia duhet të angazhohet për të ndryshuar perceptimin që ekziston ndaj saj në Bullgari.
