Në Prokurorinë Themelore Publike në Koçan është paraqitur kallëzim penal ndaj S. Sh. S. (53) nga Makedonski Brod, S. Gj. (59) nga Shkupi, si edhe ndaj Z. M. (64), S. Z. (61), T. K. (42), N. D. (43), G. P. (41) dhe M. Z. S. (44), të gjithë nga Koçani. Ata dyshohen për veprën penale “punë e pandërgjegjshme në shërbim”.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave në kallëzim, në periudhën nga viti 2022 deri më 16 mars 2025, të dyshuarit, si persona zyrtarë në Inspektoratin Shtetëror të Punës, ndonëse e kishin për detyrim ligjor të ushtronin mbikëqyrje inspektuese, nuk kanë hapur në asnjë rast procedurë sipas detyrës zyrtare për kontroll ndaj objektit hotelierik “Pulse” në Koçan.
Policia thekson se, megjithëse bëhej fjalë për të vetmin lokal të këtij lloji në territorin e Komunës së Koçanit gjatë një periudhe 13-vjeçare, aty nuk ishte realizuar asnjë inspektim, në kundërshtim me obligimet që dalin nga Ligji për Mbikëqyrje Inspektuese.
Në kallëzim përmendet se mosveprimi ka bërë që të mos pengohej funksionimi i paligjshëm i objektit, ndërsa të punësuarit të përballeshin me rrezik, pasi ushtronin punën në një hapësirë që nuk ishte kontrolluar për kushtet e sigurisë dhe shëndetit në punë, si edhe për respektimin e të drejtave themelore që burojnë nga marrëdhënia e punës.
Sipas policisë, përmes këtij mosveprimi, objektit “Puls” iu krijua mundësia që në mënyrë të paligjshme të vazhdonte ushtrimin e veprimtarisë hotelierike dhe të siguronte dobi pasurore të kundërligjshme në shumën e përgjithshme prej 1.255.977 denarësh.
Ky kallëzim penal shënon vazhdimin e hetimeve për përgjegjësinë e mundshme institucionale që lidhet me funksionimin e diskotekës “Pulse”, e cila ndodhet në qendër të vëmendjes së organeve hetimore pas zjarrit tragjik të ndodhur në këtë objekt.
