Deputeti i OBRM-PDUKM-së, Bojan Stojanoski, iu përgjigj përmes një komunikate kritikave të kreut të LSDM-së, Venko Filipçe, duke theksuar se rebalanci i Buxhetit për vitin 2026 paraqet provë se financat publike janë të qëndrueshme dhe se politika zhvillimore e Qeverisë po vijon.
Të lidhura
None found
Sipas tij, ky rebalanc nuk duhet parë si një dokument i diktuar nga krizë apo panik, por si një instrument financiar që harmonizon të hyrat dhe shpenzimet me zhvillimet reale në ekonomi, duke i drejtuar fondet aty ku ndikimi zhvillimor është më i madh.
Stojanoski nënvizoi se me rebalancin, të hyrat e përgjithshme rriten për 4,6 miliardë denarë, ndërsa investimet kapitale shtohen për 5,8 miliardë denarë, ose 14,5 për qind.
Ai deklaroi se një rritje prej afro gjashtë miliardë denarësh në shpenzimet kapitale nuk nënkupton harxhim të panevojshëm, por investime në rrugë, hekurudha, ujësjellës, kanalizime, institucione shëndetësore, shkolla, konvikte studentore, objekte sportive dhe projekte për mjedisin jetësor.
Më tej, ai bëri të ditur se në pesë muajt e parë të vitit, të ardhurat tatimore janë 6,3 për qind më të larta në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me rritje të evidentuar te të ardhurat nga TVSH-ja, tatimi personal dhe tatimi mbi fitimin.
Po ashtu, Stojanoski tha se realizimi i shpenzimeve kapitale gjatë pesë muajve të parë është 44,8 për qind më i lartë se një vit më parë, çka sipas tij dëshmon se projektet nuk mbeten vetëm në letër.
Ai theksoi gjithashtu se përmes rebalancit sigurohen mjete shtesë për shëndetësinë, arsimin, mbrojtjen sociale, mjedisin jetësor, infrastrukturën lokale, bujqësinë dhe komunat, si edhe për projekte që financohen nga fondet evropiane.
Duke folur për treguesit makroekonomikë, Stojanoski u shpreh se BPV në tremujorin e parë ka shënuar rritje prej 3,1 për qind, ndërtimtaria është rritur për 7,2 për qind, prodhimi industrial për 7,6 për qind, ndërsa investimet e huaja direkte kanë shënuar rritje prej 46,8 për qind.
“Ky rebalanc është real, i strukturuar dhe zhvillimor. Shifrat tregojnë se të ardhurat rriten, investimet kapitale shtohen dhe më shumë mjete orientohen drejt projekteve që përmirësojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve”, tha Stojanoski.
