Provimi i jurisprudencës do të zhvillohet në gjuhën shqipe, si në pjesën teorike, ashtu edhe në atë praktike. Këtë e deklaroi deputetja Saranda Imeri Stafai gjatë emisionit “Debat” në Shenja, duke njoftuar se gjatë javës së ardhshme pritet të zhvillohet një takim i ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, me studentët.
Të lidhura
None found
Sipas Imerit, në këtë takim do të shpjegohen metodologjia dhe procedura që do të ndiqet për dhënien e provimit. Ajo hodhi poshtë pretendimet se një pjesë e testimit do të zhvillohet në gjuhën maqedonase dhe pjesa tjetër në shqip.
“Për herë të parë, pas gjashtë dekadash, studentët do ta japin provimin në gjuhën shqipe. Nuk bëhet fjalë vetëm për një provim, pasi 11 lëndë do të zhvillohen në shqip, përfshirë edhe pjesën praktike”, u shpreh ajo.
Takimi me studentët është planifikuar për javën e ardhshme, pas konsultimeve me ministrin Shasivari. Gjatë tij, pritet të jepen sqarime të hollësishme mbi mënyrën se si do të zbatohet procedura.
“Do ta lë që të drejtën ekskluzive ta ketë ministri. Këto janë informata ekskluzive që i shpalosi këtu, provimi do të jepet në shqip”, tha Imeri, duke përsëritur se të 11 lëndët dhe pjesa praktike do të zhvillohen në gjuhën shqipe.
Informacioni i plotë për metodologjinë dhe procedurën pritet të prezantohet nga ministri i Drejtësisë në takimin e paralajmëruar me studentët.







