Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) njoftoi se deri në orën 18:00 të ditës së sotme, 11 gusht, në mbarë vendin janë evidentuar 15 zjarre. Prej tyre, dy vazhdojnë të jenë aktive, një është vënë nën kontroll, ndërsa 12 të tjerë janë shuar.
Të lidhura
None found
Vatrat aktive ndodhen në komunat e Makedonski Brodit dhe Novo Selos. Në Makedonski Brod, flakët janë përhapur në lokalitetin Vidush, pranë fshatit Dragov Dol, duke përfshirë bimësi të ulët, pyje me kërcell të ulët dhe shkurre. Ndërkohë, në malin Ograzhden, pranë Novo Selos, digjen një deponi, një pyll i përzier i degraduar dhe bimësi e ulët.
Nën kontroll është vendosur zjarri që përfshiu deponinë e qytetit në Delçevë.
Sipas QMK-së, zjarret janë shuar pranë fshatit Blatec në Komunën e Vinicës, si dhe në komunat e Qendrës Zhupa, Kërçovës, Llozovës, Brvenicës, Zhelinës, Tearcës, Vrapçishtit, Gazi Babës dhe Sarajit, por edhe në Kumanovë.
