Sipas Partisë Liberal Demokratike, turneu rajonal që përfshiu gjithashtu Moldavinë dhe Rumaninë shërbeu për të ekspozuar pikën më të ulët të diplomacisë sonë, një realitet që përndryshe mund të kishte kaluar pa u vënë re.
Të lidhura
None found
PLD thekson se ndërsa Kishinau dhe Bukureshti arrinin të firmosnin memorandume specifike, duke siguruar tregje të reja për bujqit dhe duke negociuar investime konkrete në fushat e farmaceutikës, teknologjisë së informacionit dhe logjistikës, përfaqësuesit tanë më të lartë shtetërorë e mirëpritën presidenten e Indisë me një ceremoni folklorike protokollare, inaugurimin e një busti dhe bankete të kushtueshme diplomatike.
Duke komentuar këtë situatë, kryetarja e PLD-së, Monika Zajkova, deklaroi: “Realiteti i hidhur është shkatërrimtar: teksa Moldavia dhe Rumania lidhin marrëveshje që do të forcojnë buxhetet shtetërore dhe do të rrisin të ardhurat e qytetarëve, Maqedonia po shpenzon paratë publike për dreka e darka zyrtare, pa arritur asnjë marrëveshje të nënshkruar.”
Ajo shtoi se përballë mungesës së rezultateve konkrete, “zyrtarët përpiqen t’i hedhin hi syve të opinionit me përralla për një ambicie prej 400 milionë dollarësh në shkëmbimin tregtar.”/Telegrafi/
