Ministria e Punëve të Brendshme është duke përgatitur ndryshime në legjislacion për të vendosur rregulla më të qarta për përdorimin e trotinetëve elektrikë, me synimin që të rritet siguria në komunikacion, bëri të ditur ministri Pançe Toshkovski.
Duke folur në prezantimin e projektit kombëtar “Ndërprerja e ciklit të dhunës – parandalimi sistematik i dhunës familjare dhe asaj mes bashkëmoshatarëve përmes sistemit arsimor”, ai tha se grupi parlamentar i OBRM-PDUKM-së do të paraqesë propozim-ndryshime në Ligjin për Sigurinë e Komunikacionit në Rrugë. Sipas tij, këto janë hartuar mbi rekomandimet e ekipeve të ekspertëve dhe të shërbimeve profesionale të MPB-së.
Të lidhura
None found
Toshkovski theksoi se qasja e re do të fokusohet në ashpërsimin e rregullativës dhe të politikës ndëshkuese për drejtimin e trotinetëve elektrikë, me theks të veçantë te moshat e reja.
Sipas ministrit, analizat tregojnë se aksidentet me trotinetë elektrikë prekin më së shumti popullatën e re, sidomos personat deri në moshën 17 dhe 18 vjeç. Ai vuri në dukje se përdorimi në kundërshtim me ligjin, lëvizja në grupe dhe mungesa e pajisjeve mbrojtëse sjellin pasoja të rënda.
“Drejtimi i paligjshëm, ngasja nga dy ose tre persona në një trotinet, pa helmeta dhe pa respektuar rregullat, sjell pasoja serioze”, nënvizoi ministri.
Ai shtoi se një pjesë e ndryshimeve të parashikuara do të ketë të bëjë edhe me rritjen e kufirit të moshës për përdorimin e trotinetëve elektrikë, në funksion të mbrojtjes më të madhe të pjesëmarrësve më të rinj në komunikacion.
Lidhur me problemet e kalimit të paligjshëm te Bit Pazari, Toshkovski bëri të ditur se kjo çështje tashmë është diskutuar në koordinimet mes MPB-së dhe Qytetit të Shkupit, ndërsa në periudhën në vijim priten masa konkrete.
“Ekzistojnë koordinime të rregullta dhe kjo temë tashmë është shqyrtuar. Në të ardhmen prisni veprime konkrete për përmirësimin e sigurisë”, deklaroi Toshkovski.
Në fund, ai theksoi se krahas veprimeve institucionale, një rol vendimtar ka edhe përgjegjësia personale e qytetarëve për respektimin e rregullave të komunikacionit.
