Ministria e Punëve të Brendshme po vijon marrjen në bisedë informative të personave, nga profilet e të cilëve u publikuan dje thirrje që qytetarët të mos e konsumonin ujin në Shkup, nën pretendimin se në të ishte i pranishëm një bakter.
Të lidhura
None found
Sektori për Krim Kompjuterik në kuadër të MPB-së po identifikon profilet përkatëse dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për këtë rast.
“Sektori për Krim Kompjuterik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme po ndërmerr masat dhe aktivitetet e duhura. Po identifikohen profilet e personave dhe ata po thirren për bisedë informative. Pas përfundimit të veprimeve hetimore, do ta informojmë në mënyrë përkatëse opinionin”, deklaruan nga MPB-ja për AIM mëngjesin e sotëm.
Informacionet e rreme, sipas të cilave bakteri i rrezikshëm Escherichia coli dyshohej se ishte i pranishëm në ujësjellësin e Shkupit, u shpërndanë gjatë ditës përmes rrjeteve sociale, duke shkaktuar brenda një kohe të shkurtër frikë dhe panik mes qytetarëve.
Këto pretendime u hodhën poshtë pasditen e djeshme nga kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” dhe Ministria e Shëndetësisë.
Në një konferencë për media, Gjorgjievski deklaroi se uji në Shkup mund të pihet pa rrezik dhe se në të nuk është konstatuar prania e Escherichia coli apo e baktereve të tjera.
