Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski, i ka bërë thirrje Bullgarisë që të ekstradojë Simeon Mihaillovin, person i shpallur në kërkim me urdhër arresti nga policia e Maqedonisë.
Të lidhura
None found
I pyetur sot nga gazetarët për këtë çështje, Mickoski deklaroi: “Kemi një urdhër arresti për atë person dhe pres që partnerët tanë të veprojnë në përputhje me partneritetin”.
Simeon Mihaillov është dënuar në Maqedoni me 12 vjet burg, por është arratisur përpara se të fillonte vuajtjen e dënimit. Aktualisht, ai shfaqet në televizionet bullgare dhe merr pjesë në protesta në Sofje.
Mihaillov po del në mbrojtje të vajzës së tij, Iva Mihaillova, ndaj së cilës po zhvillohet një proces gjyqësor në Koçan për një aksident trafiku ku humbi jetën një person.
“Ne jemi partnerë me fqinjin tonë lindor brenda NATO-s. Presim që personat që kërkohen me urdhër arresti, që kanë kryer një krim, të ekstradohen, në frymën e partneritetit, të përballen me ligjin dhe drejtësinë”, u shpreh Mickoski.
Rasti i Iva Mihaillovës, e cila ka shtetësi maqedonase dhe bullgare, është dramatizuar nga Sofja me pretendimin se Maqedonia po e pengon atë të trajtohet në Bullgari. Megjithatë, dy gjykata maqedonase kanë refuzuar t’ia kthejnë pasaportën e konfiskuar Mihailovës, duke vlerësuar se shërbimet shëndetësore për të cilat ajo ka nevojë ofrohen edhe në Maqedoni.
Procesi gjyqësor ndaj saj vazhdon, ndërsa në seancën dëgjimore të mbajtur tre ditë më parë ishin të pranishëm gjashtë deputetë të parlamentit bullgar.
Policia ka bërë të ditur së fundmi se urdhër-arresti ndërkombëtar për Mihailovën vazhdon të jetë aktiv.
