Mbi 38 mijë fermere në Maqedoninë e Veriut, por të drejtat e tyre mbeten të pabarabarta

Në Maqedoninë e Veriut janë të regjistruara mbi 38 mijë gra si fermere, por shumë prej tyre nuk kanë siguri financiare dhe mbështetje të barabartë përmes pushimit të lehonisë, sigurimit shëndetësor apo mbrojtjes sociale.

Të lidhura

None found

Këto çështje u diskutuan në panelin “Të korrat pa emrin e saj: Gratë rurale dhe puna e padukshme”, organizuar në Europe House në Strumicë, në kuadër të fushatës “Vish ndryshimin”. Fushata është iniciuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe ambasadat e vendeve anëtare.

Të dhënat e paraqitura tregojnë se më 2021, vetëm 4,1 për qind e grave në zonat rurale figuronin si pronare të pronave. Në të gjithë vendin, toka është në pronësi të vetëm 12 për qind të grave.

Gjatë diskutimit u shqyrtuan edhe arsyet e kësaj pabarazie, ndër to traditat që ndikojnë në trashëgiminë. Ndonëse ligji u njeh vajzave të drejtën për të trashëguar, shumë prej tyre heqin dorë nga pjesa e tyre në favor të vëllezërve, mes ndikimit të zakoneve të kahershme dhe bindjes se pas martesës vajza do t’i “përkasë një familjeje tjetër”.

Paneli vuri në pah pengesat tradicionale që i shtyjnë vajzat të heqin dorë nga trashëgimia. Mesazhi përmbyllës ishte se puna dhe kontributi i grave fermere duhet të shoqërohen me të drejta dhe mundësi të barabarta.


Shtuar më 17.10.2026 23:13