Dhjetëra ish-zyrtarë të LSDM-së, bashkë me deputeten aktuale Sllavjanka Petrovska, prezantuan një nismë të re në kampin socialdemokrat, me qëllim rikthimin në qendër të idesë socialdemokrate.
Të lidhura
None found
Sipas tyre, LSDM-ja e drejtuar nga Venko Filipçe nuk i përfaqëson siç duhet.
Në aktivitetin “Biseda për të Ardhmen” ishin të pranishëm edhe disa ish-funksionarë të lartë të LSDM-së, si edhe kryetarja e PLD-së, Monika Zajkova.
Të pranishmit vlerësuan se opozitës i duhet një revolucion në ideologji dhe në vlera, ndërsa kërkuan debat të hapur dhe një kontratë të re shoqërore që do të shërbente si bazë për ndryshime politike.
“Maqedonia ka nevojë për një kontratë të re shoqërore si bazë për krijimin e një potenciali të gjerë opozitar për ndryshim. Publiku demokratik progresist ka nevojë për debat të mirëfilltë dhe objektiv, i cili për të arritur qëllimin duhet të jetë i çliruar nga nevoja e zakonshme për t’u pëlqyer autoriteteve partiake”, thuhet në komunikatën e tyre.
Pas prezantimit të kësaj platforme të re politike, reagoi LSDM, e cila e përshkroi atë si një tentativë të kryeministrit Hristijan Mickoski për të ndërtuar një opozitë të kontrolluar. Nga partia thanë gjithashtu se elektorati i LSDM-së nuk do të mashtrohet siç ndodhi me ZNAM-in.
“Platforma e paralajmëruar për “biseda për të ardhmen” është edhe një përpjekje tjetër në vargun e përpjekjeve të Hristijan Mickoskit për të krijuar një opozitë të kontrolluar. Së pari, nuk dihet se kush qëndron pas saj. Nuk ka emër të organizatorit, nuk ka transparencë dhe gjithçka zhvillohet sipas rregullave të Chatham House. Kur shihet se çfarë ndodhi në takimin e parë, bëhet e qartë se, edhe pse u fol për “bashkimin e opozitës”, pika dhe përfundimi i parë i takimit ishte sulmi ndaj LSDM-së. Mickoski e paralajmëroi këtë platformë që në fund të vitit të kaluar. Promovuesit e parë ishin Jovan Despotovski dhe Petre Shilegov, si një version i ri i ZNAM 2.0. Meqenëse nuk arriti ta rrëzojë LSDM-në nga brenda, tani po i bashkon ish-anëtarët e saj për ta sulmuar nga jashtë”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

