Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, njoftoi sot se interpelanca për punën e Ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski, është përfshirë në rendin e ditës të seancës plenare që është planifikuar të mbahet të mërkurën, më 24 qershor.
Kërkesa për këtë interpelancë ishte dorëzuar në maj nga e majta opozitare, e cila e akuzon Toshkovskin për sabotim të hetimeve, drejtësi selektive, punë joprofesionale të policisë dhe konflikt interesi.
Të lidhura
None found
Sipas Gashit, një ditë pas shqyrtimit të interpelancës për ministrin Toshkovski, në Kuvend do të zhvillohen pyetjet e rregullta parlamentare për kryeministrin dhe ministrat. Ai bëri të ditur gjithashtu se gjatë ditës së nesërme pritet të arrijë në Kuvend rebalanci i Buxhetit për vitin 2026.
Lidhur me seancën ku deputetët do të votojnë për përbërjen e rindërtuar të Qeverisë, Gashi tha se ajo do të caktohet pasi Qeveria ta dorëzojë propozimin në Kuvend.
“Pa pasur një propozim për ndryshim në Kabinetin Qeveritar, nuk mund të paragjykojmë asgjë. Varet nëse do të ketë një propozim të ri dhe kur do të paraqitet”, deklaroi Kryetari i Kuvendit.
