Gati 25 mijë banorë të Maqedonisë janë regjistruar për vaksinën kundër gripit

Të dhënat e sistemit „Termini im“ tregojnë se deri tani janë regjistruar rreth 25.000 qytetarë për t’u vaksinuar kundër gripit sezonal.

Të lidhura

None found

Vaksinimi parashikohet të nisë të mërkurën, më 21 tetor, duke u dhënë përparësi personave të grupeve më të rrezikuara. Në vend kanë mbërritur 30.000 dozat e para, ndërsa institucionet shëndetësore po bëjnë përgatitjet për imunizimin.

Ministria e Shëndetësisë njofton se vaksina është trivalente dhe prodhohet nga një kompani koreano-jugore. Për të janë siguruar certifikata nga prodhuesi dhe nga një laborator referent, të cilat vërtetojnë kontrollin e cilësisë. Dozat e para u siguruan përmes një huazimi, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar me shtetet fqinje, konkretisht përmes UNICEF-it dhe Shqipërisë.

Një tjetër furnizim, me 26.000 doza nga kompania “Sanofi“, pritet të mbërrijë deri më 15 nëntor. Ndërkohë, po zhvillohen bisedime për të siguruar edhe 24.000 vaksina, me synimin që sasia e përgjithshme e planifikuar të arrijë në 80.000 doza.

Komisioni për Imunizim do të përcaktojë kategoritë që do të kenë përparësi, ndërsa vaksinat do të shpërndahen përmes institucioneve shëndetësore dhe qendrave të shëndetit publik.

Autoritetet shëndetësore njoftojnë gjithashtu se pritet një dërgesë e re e vaksinave BCG për të porsalindurit. Siç është bërë e ditur më herët, nëpërmjet një marrëveshjeje me UNICEF-in po sigurohen vaksina nga një prodhues japonez, në sasi të mjaftueshme për nevojat e një viti. Pas mbërritjes, ato do të dërgohen në maternitetet dhe ambulancat.

Vaksinat e mëparshme BCG ishin pezulluar përkohësisht si masë paraprake, pas vendimit të Kroacisë për të ndaluar përdorimin e produktit të të njëjtit prodhues.


Shtuar më 17.10.2026 18:14