Iniciativa për reduktimin deri në 20% të dënimeve të të burgosurve në Idrizovë nuk është dorëzuar ende. Ideja synon të lehtësojë mbingarkesën në burgje, problem i lidhur me kapacitetet e pamjaftueshme dhe kushtet e rënda në ambientet e burgut. Drejtori i Idrizovës, Zoran Jovanovski, i tha shkurt Alsat se dokumenti për këtë nismë është ende në përgatitje.
Të lidhura
None found
Propozimi vazhdon të mbetet vetëm në nivel ideje dhe deri tani nuk ka siguruar mbështetje. Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se çështja do të shqyrtohet vetëm pasi iniciativa të dorëzohet zyrtarisht.
“Nuk di për ide të tillë, kur ta dorëzojnë do ta komentojmë”, tha shkurt kryeministri Mickoski.
Ministria e Drejtësisë deklaroi dje për Alsat se do të veprojë brenda kompetencave që i përcakton ligji, duke respektuar legjislacionin në fuqi dhe procedurat përkatëse. Nga ana tjetër, drejtori i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve bëri të ditur se aktualisht nuk po përgatitet amnisti.
Propozimi i drejtorit të Burgut të Idrizovës, i cili ka kapacitet për rreth 1800 persona, parashikon faljen e 10 deri në 20% të dënimit të përgjithshëm për të dënuarit. Kjo do të mundësonte uljen graduale të numrit të të burgosurve. Amnistia e fundit e përgjithshme ishte miratuar në vitin 2018, pikërisht për shkak të mbipopullimit. Jashtë saj kishin mbetur personat e dënuar për vrasje, përdhunim, terrorizëm, vepra penale kundër shtetit, mashtrime zgjedhore dhe krime kundër njerëzimit.
Një tjetër amnisti u miratua në vitin 2023, por ajo u kufizua vetëm te personat e gjobitur për mosrespektimin e masave të vendosura kundër epidemisë Covid 19.
Ndërsa pritet zgjerimi i kapaciteteve, të burgosurit vijojnë të vuajnë dënimet në kushte çnjerëzore. Përveç vështirësive të akomodimit, këto kushte ndikojnë edhe në marrëdhëniet sociale mes të dënuarve. Në raportin e vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut, Komisioni Evropian kërkon përmirësim urgjent të kushteve në burgje dhe përdorim më të gjerë të masave alternative ndaj burgimit, përfshirë probacionin.






