BDI: Kërkojmë barazi dhe distancim të VMRO DPMNE nga Rusia

Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një deklarata ka thënë se partia maqedonase VMRO-DPMNE vazhdon ta perceptojë barazinë në shoqëri si shantazh, teksa ka bërë thirrje për mbështetjen e kandidaturës së Bujar Osmanit për president të Maqedonisë së Veriut.

“VMRO DPMNE fatkeqësisht i refuzon idetë progresive për shkak të ngecjes në mendjen konservatore të dominimit të imagjinuar etnik në shtetin e përbashkët. Kërkojmë nga VMRO DPMNE të kapërcejë vetveten, të pranojë barazinë në shoqëri dhe në të njëjtën kohë të deklarohet kundër Rusisë, për Evropën, si dhe të distancohet nga pikëpamjet poetike pro-Putiniste të kandidates së tyre ruso-nostalgjike Gordana Davkova, të mundur dikur”, thuhet në deklaratën e BDI-së.

Ky subjekt politik tutje ka shfaqur besimin se qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë të bindur për idetë progresive të Ali Ahmetit dhe kontributin e tij për stabilitetin e vendit dhe formimin e tij euro-amerikan. E këtë, sipas BDI-së, do ta vërtetojnë më 24 prill dhe 8 maj.

“Prandaj është e nevojshme që të gjithë zërat të përqendrohen tek dr. Bujar Osmani, për të mundësuar ndryshimin e Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit dhe për ndryshimet kushtetuese, të cilat dalin nga Marrëveshja e fqinjësisë së mirë, me të cilën do të shkojmë me vendosmëri drejt BE-së. Me këtë po e ndihmojmë shtetin, qytetarët, si dhe VMRO-në dhe LSDM-në, sepse gjetëm mënyrën se si të arrijmë ‘gjithçka në një’”, thuhet në deklaratën e BDI-së.

Tutje partia e Ali Ahmetit thekson se vetëm me përpjekje të tilla të përqendruara dhe mbështetje e këtij subjekti politik do të arrihet qëllimi për t’u shkëputur nga Rusia dhe ndikimi rus që ka përfshirë ekonominë e Maqedonisë së Veriut, infrastrukturën kritike, partitë politike, mediat, komunitetet fetare, shoqërinë civile dhe që synon të destabilizojë shoqërinë e brishtë dhe multietnike, multifetare dhe multikulturore, me efekt domino në të gjithë rajonin.


Shtuar 25.02.2024 12:19

Tags: