Zv.kryeministri dhe ministri i Transportit dhe Komunikacionit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski, deklaroi dje se vendi përballet me mungesë të fuqisë punëtore. Ai e vlerësoi si të arsyeshëm vendimin e Qeverisë për ta rritur kuotën vjetore të punëtorëve të huaj nga 10 në 13 mijë.
Nikolloski tha se kjo shifër duhet të rritet edhe më tej gjatë vitit të ardhshëm.
Të lidhura
None found
“Nëse doni mendimin tim, mendoj se vitin e ardhshëm duhet të shkojë në 20 mijë dhe deri në vitin 2030, duhet të arrijmë 50 mijë punëtorë të huaj në vit që do të punojnë në Maqedoni, nëse duam të ruajmë këtë nivel të rritjes së BPV-së”, u shpreh ai mbrëmë në emisionin “360”. Sipas tij, “Bechtel dhe Enka” nuk kanë më mungesë punëtorësh, pasi kuota është rritur, ndërsa para këtij ndryshimi kompanisë i mungonin 670 punëtorë.
Për vitin 2026, Qeveria ka përcaktuar një kuotë prej 10.000 lejesh pune për shtetasit e huaj, e cila do të nisë të zbatohet më 16 janar. Prej tyre, 9.750 leje parashikohen për punësim të rregullt, 200 për të huaj të dërguar dhe 50 për angazhime sezonale. Në kategorinë e punësimit të rregullt, 4.500 leje do t’u jepen punëtorëve të rinj, ndërsa 5.250 do të përdoren për zgjatjen e lejeve ekzistuese.
Të dhënat tregojnë se numri i punëtorëve të huaj me leje qëndrimi ka arritur në 6.128 gjatë vitit 2025, duke qenë tre herë e gjysmë më i lartë se pesë vjet më parë, kur leje të tilla morën 1.704 persona. Kërkesa më e madhe për punësimin e të huajve është evidentuar në sektorët e ndërtimit, industrisë, mikpritjes dhe tregtisë. Numri më i madh i punëtorëve vjen nga Bangladeshi, Nepali, India, Turqia, Kina dhe Filipinet./Telegrafi/





