Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim me zëvendësadjutantin e përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral brigade Charles H. Lampe.
Gjatë pritjes, Jashari i uroi mirëseardhjen gjeneralit Lampe dhe e përgëzoi për detyrën e re që ka marrë si zëvendësadjutant i përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Ajovës.
Të lidhura
None found
Biseda u përqendrua te bashkëpunimi mes FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, i cili zhvillohet në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror (State Partnership Program), si dhe te hapat për zgjerimin e mëtejshëm të këtij partneriteti.
Përfaqësuesit shqyrtuan mundësinë e organizimit të aktiviteteve të përbashkëta, ndarjes së përvojave dhe rritjes së kapaciteteve profesionale, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe ndërveprueshmërisë mes dy forcave.
Gjenerallejtënant Jashari shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen e pandërprerë që Garda Kombëtare e Ajovës i ka dhënë zhvillimit dhe profesionalizimit të FSK-së.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e marrëdhënies së partneritetit mes Kosovës dhe Ajovës, duke e cilësuar atë si një model të bashkëpunimit afatgjatë, besimit reciprok dhe angazhimit të përbashkët për fuqizimin e kapaciteteve dhe ndërveprueshmërisë me partnerët amerikanë.






