“Mos i injoroni”, doktoresha paralajmëron prindërit shqiptarë për shenjat e hepatitit te fëmijët

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin pas identifikimit të një lloj hepatiti të panjohur dhe të rëndë në më shumë se 11 vende të botës. I përhapur fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar, virusi mori terren shumë shpejt ndërsa numërohen më shumë se 200 fëmijë të infektuar dhe së paku një prej tyre ka humbur jetën nga sëmundja misterioze.

Raste të këtij lloji akut të këtij hepatit misterioz që prek mëlçinë dhe që çon deri në mosfunksionim të plotë të saj janë konstatuar në12 shtete dhe janë kontraktuar 200 raste ku 17 prej tyre i janë nënshtruar operacioneve.

E ftuar në emisionin “Jeto me orën” pediatria Sonila Brati na rrëfeu se është kthyer në një shqetësim shumë të madh pasi ky lloj hepatiti çon në bllokim të rrugëve të frymëmarrjes. Një shkaktar tjetër është edhe Covid-19, por nuk është vërtetuar plotësisht. Grupmosha më e evidentuar janë fëmijët nga 0 deri në 16 vjeç. Numri më i madh i të prekurve është seksi femër e përkthyer në përqindje 65% prej numrit total.

Shenjat që kanë transmetuar te këto grupmosha janë kryesisht kolla, temperaturë, dhimbje barku, të vjella, diarre, zverdhje në fytyrë etj.

Doktoresha këshillon prindërit që në qoftëse fëmija shfaq të tilla shenja duhet t’i drejtohen menjëherë mjekut që të bëhen ekzaminimet e duhura. Situata aktuale në vendin tonë është e qetë pasi deri tani nuk ka rezultuar asnjë rast, por sërish prindërit duhet t’i drejtohen mjekut për kontrolle të ndryshme.

Për sa i përket periudhës në të cilën ndodhemi aktualisht ka shumë viroza që po prekin fëmijët duke filluar nga bajamet, bronshitet, variçela, alergjitë stinore etj.