Matt Damon flet për dokumentarin i cili do të trajtojë periudhën e luftës në Sarajevë

Ylli i Hollivudit Matt Damon ka qenë së fundmi i ftuar në programin e CNN-it ku ka folur për dokumentarin “Kiss the Future”, i cili bazohet në jetët e njerëzve që kanë jetuar në Sarajevë gjatë periudhës së rrethimit nga okupatori.

“Është historia më emocionuese dhe në të vërtetë flet për atë se si drita fiton ndaj errësirës”, tha aktori, shkruan Klix.

Dokumentari i ri rrëfen për skenën muzikore që ka mbijetuar dhe ka lulëzuar në Sarajevën e shkatërruar nga lufta, që kulmon me koncertin legjendar të grupit U2 në kryeqytetin boshnjak.

Gazetarja legjendare dhe qytetare nderi e Sarajevës, Christiane Amanpour, ka bërë të ditur në profilin e saj në Twitter një pjesë nga programi i CNN-së ku e ka ftuar Matt Damonin, që është edhe producent i këtij dokumentari së bashku me Ben Affleck.

Me këtë rast, ajo ka dashur të njoftojë për shfaqjen e parë të dokumentarit në SHBA, filmin e cili është i drejtuar nga Nenad Čičin-Šain. Përndryshe, shfaqja e filmit “Kiss the Future” do të fillojë më 23 shkurt në kinematë në të gjithë ShBA-në.

“Nëse jeni në ShBA, mund ta shikoni ‘Kiss the Future’ në kinematë nga java e ardhshme. Është një kujtesë e mrekullueshme e fuqisë së muzikës dhe artit edhe në rrethanat më të errëta”, ka shkruar në përshkrimin e saj Christiane Amanpour.

Në fillim të bisedës, Damon ka shpjeguar se si i erdhi ideja për të prodhuar filmin mbi Sarajevën. “Historia më u rrëfye dhe e mendova që ishte e mahnitshme. Gjithçka erdhi së bashku me njohjen e regjisorit të filmit Nenad, i cili ka folur për të me pasion”.

“Ai është nga ajo zonë dhe kishte një lidhje personale me tërë historinë. Kuptuam që kemi narratorin e duhur dhe njerëzit e duhur rreth projektit, kështu që iu drejtuam grupit dhe ata na dhanë incizimet nga ajo kohë, të cilat na i dhanë. Ata ishin të shqetësuar sepse nuk donin që të bënim film për ta, por për njerëzit e Sarajevës. Kjo është historia më emocionuese dhe në të vërtetë flet për atë se si drita fiton ndaj errësirës”, ka thënë Matt Damon.

Christiane Amanpour ka përmendur se u takua me Bonon në Sarajevë pas luftës. Ajo, pas një pjesë të shkurtër nga filmi, ka pyetur Damonin për atë që mendon mbi fuqinë e artit në kohët më të këqija. “Kjo është pjesa më e bukur e filmit”.

Vërtet është për njerëzimin dhe në kohët më të errëta ka diçka në atë se si ne shprehemi dhe veprojmë së bashku. Njerëzit mbrëmjeve shkonin në këto koncerte muzikore për të dëgjuar ose për të luajtur. Në film ka një fotografi që tregon një baterist i zhanrit punk rock me dorën e shkatërruar në linjën e frontit, dhe ka një imazh ku ai ka shtyllën ngjitur me dorën e tij.

“Muzika është një akt kundërshtie. Ju mund të na vendosni në rrethana të tmerrshme, por nuk mund të na merrni ‘festën e njerëzimit’, ne jemi të gatshëm të vdesim për këtë. Vërtet është një mesazh i bukur që I dërgohet botës sot dhe prandaj e dëshiruam ta tregonim”, ka shpjeguar ai.


Shtuar 14.02.2024 13:45