Një vatër zjarri është aktivizuar pasditen e kësaj të shtune në zonat e Bardhajt dhe Myselimit, në Shkodër. Era e fortë dhe terreni i thyer kanë ndikuar në përhapjen e flakëve.
Për përballimin e situatës, ndërhyrja po kryhet si në tokë, ashtu edhe nga ajri, me përdorimin e një helikopteri. Në operacion janë përfshirë forca të shumta zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave civile.
Të lidhura
None found
Në terren ndodhen gjashtë mjete zjarrfikëse të Bashkisë Shkodër, një bot uji i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, Shërbimi Pyjor, përfaqësues të Emergjencave Civile, si dhe strukturat e njësive administrative Rrethina dhe Postribë.
Ndërhyrja e deritanishme ka mundësuar mbrojtjen e 15 banesave, duke larguar rrezikun për familjet që jetojnë në zonën e prekur nga zjarri.
Operacioni po përforcohet edhe nga një mjet zjarrfikës i Repartit RKV 1010 në Vau i Dejës. Veprimet po koordinohen me Prefekturën e Qarkut Shkodër dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Forcat e angazhuara vijojnë punën për izolimin e vatrave dhe shuarjen përfundimtare të flakëve, ndërsa mbrojtja e banesave dhe e banorëve mbetet objektivi kryesor.
