Ish-kryebashkiaku i Himarës, Fredi Beleri, ka reaguar lidhur me zjarrin që përfshiu mbrëmjen e kaluar zonën e Himarës, ku flakët shkrumbuan një sipërfaqe të konsiderueshme dhe u përhapën edhe në pjesën lindore të qytetit. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Beleri thekson se zjarri shkaktoi dëme të mëdha në prona dhe banesa, por fatmirësisht nuk pati viktima.
Beleri e cilëson situatën e zjarreve si një kërcënim gjithnjë e më të madh në Evropë dhe në botë, duke ngritur shqetësimin se Shqipëria nuk ishte e përgatitur sa duhet për përballimin e një situate të tillë. Ai thekson gjithashtu se një shtet që nuk garanton as gjërat më elementare nuk mund tu kërkojë qytetarëve të qëndrojnë pasivë.
Të lidhura
None found
Në reagimin e tij, Beleri u bën thirrje himarjotëve që të kujdesen për tokat dhe pronat e tyre, duke kërkuar paralelisht njohjen dhe regjistrimin përfundimtar të tyre. Në fund të reagimit, ai shpreh solidaritet me banorët që kanë humbur pronat, si dhe me të gjithë ata që u përballën me flakët.
Reagimi i Fredi Belerit:
Gjatë natës së kaluar, flakët rrethuan një zonë të tërë të Himarës dhe u përhapën në një pjesë të madhe të anës lindore të qytetit. Prona dhe banesa pësuan dëme të mëdha. Fatmirësisht, nuk pati humbje në jetë njerëzish. Zjarret në Evropë dhe, në përgjithësi, në mbarë botën përbëjnë tashmë një kërcënim të vazhdueshëm. Ishte vetëm çështje kohe që diçka e tillë të ndodhte edhe tek ne. Ndërsa duhej të kishim marrë masat e nevojshme dhe të ishim të përgatitur, rezultati tregoi se nuk ishim.
Megjithatë, në vendin tonë përballemi edhe me një vështirësi tjetër: shteti dhe pushteti vendor nuk na lejojnë të rrethojmë, të pastrojmë dhe të kujdesemi për pronat tona. Kjo është e papranueshme, 36 vjet pas rënies së regjimit komunist. Një shtet që nuk garanton as gjërat më elementare — furnizim të pandërprerë me ujë dhe energji elektrike, parandalim, mjete të mjaftueshme zjarrfikëse dhe mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore — nuk mund t’u kërkojë qytetarëve të qëndrojnë pasivë.
Ne, himarjotët, duhet të kujdesemi për tokën e të parëve tanë, të pastrojmë dhe të mbrojmë pronat tona, duke kërkuar njëkohësisht njohjen dhe regjistrimin përfundimtar të tyre. Pas kësaj katastrofe, askush nuk ka të drejtë t’i pengojë njerëzit të mbrojnë vendin dhe pronat e tyre. Mendimet tona janë me bashkëqytetarët që panë pronat e tyre të shkatërroheshin, por edhe me të gjithë ata që luftuan me flakët dhe arritën të kufizonin dëmet. Në ditët në vijim do të ndërmarrim nisma konkrete për mbështetjen financiare dhe lehtësimin real të banorëve të prekur.
