Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur situatën e zjarreve në territorin e vendit deri në orën 20:00. Në total janë evidentuar 31 vatra, prej të cilave 11 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 2 të tjera po mbahen nën monitorim.
Në operacionet për përballimin e situatës janë përfshirë 396 forca operacionale dhe 41 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë ofruar mbështetje me 120 efektivë, 2 mjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Të lidhura
None found
Në Malin e Dajtit vazhdojnë ndërhyrjet për shuarjen e flakëve, ku janë angazhuar 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Sipas ministrisë, zonat e banuara nuk janë në rrezik. Ndërkohë, vatra në aksin Priskë-Gurrë e Madhe-Farkë-Lundër është vendosur nën kontroll dhe po monitorohet.
Operacioni po vijon në një hapësirë të gjerë edhe në Gurë-Lurë. Në terren ndodhen 150 forca bashkiake, 20 policore, 11 ADZM, 15 efektivë të MZSH-së dhe 50 efektivë të FA-së, të cilët mbështeten nga 2 avionë Air Tractor. Hapja e korridoreve ka ndalur avancimin e zjarrit drejt banesave, ndaj nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Qafë Helmes, Dibër, janë angazhuar 11 efektivë të MZSH-së, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të FA-së. Flakët janë shuar në krahun e Bulqizës, por vatra mbetet aktive në drejtim të Selishtës.
Në Abazaj të Krujës, zjarri vijon të jetë aktiv, megjithëse me intensitet të ulët dhe pa kërcënuar zonat e banuara. Vatra në Zidoll, ndërkaq, po mbahet nën monitorim.
Në Lufaj të Mirditës, puna është përqendruar në krijimin e korridoreve ndarëse, pavarësisht vështirësive që paraqesin terreni dhe bimësia e dendur. Banesat nuk rrezikohen.
Në Fushë-Lajë të Pukës, vatra mbetet aktive në një terren shumë të thyer, çka e bën më të vështirë ndërhyrjen e forcave të MZSH-së. Edhe në këtë zonë nuk ka rrezik për vendbanimet.
Vatrat në Sotirë, Libohovë dhe Krahës vazhdojnë të jenë aktive. Në Libohovë, zjarri po shkon drejt izolimit, ndërsa në asnjërin prej rasteve nuk raportohet kërcënim për zonat e banuara. Në Gjormë të Selenicës, MZSH-ja e ka vendosur vatrën nën kontroll dhe banesat nuk janë në rrezik.
Në Dardhë të Librazhdit, forcat e MZSH-së, shërbimi pyjor dhe strukturat bashkiake po punojnë për shuarjen e zjarrit. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara, ndërsa AKMC vazhdon koordinimin dhe monitorimin e situatës në të gjithë territorin.
