Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Himarës, Vangjel Tavo, ka folur, lidhur me kandidimin e tij dhe zgjedhjet që pritet të zhvillohen në 4 gusht.
Tavo tha se e mori propozimin nga Edi Rama dhe e pranoi pas një bisede me të, duke deklaruar se po kandidon për të dhënë zgjidhje dhe jo për të krijuar kriza.
Ai tha se problematika kryesore e Himarës është çështja e pronave, por shtoi se procesi për marrjen e çertifikatave të pronësisë ka nisur dhe do të përfundojë kur ai të jetë në krye të Bashkisë.
“Vendimi ka ardhur pas një takimi me kryetarin e PS, zotin Edi Rama. Më është kërkuar të kandidoj në Bashkinë e Himarës. T’ju them të drejtën, pas një diskutimi dhe argumentimi të situatës me kryeministrin dhe kryetarin e PS, vendosa ta pranoj Bashkinë e Himarës si një sfidë, por edhe si përgjegjësi. Himara, ashtu si bashkitë e tjera të Republikës, kërkon një menaxhim, administrim të punëve, aq më tepër që kemi të bëjmë me një bashki bregdetare. Në periudhën e verës, fluksi i vizitorëve është shumë i shtuar, kjo kërkon nga ana e pushtetit vendor një angazhim të madh për mirëmenaxhimin e punës.
Sikurse ju thashë, është një sfidë dhe përgjegjësi. Me përvojën shumëvjeçare timen në politikë, kam mundësitë për ta menaxhuar sa më mirë bashkinë e Himarës, për të zgjidhur problemet e njerëzve.
Në fokus Himarën nuk e ka vendosur thjesht çështja Beleri siç thoni ju, historikisht, për njerëzit, me karakterin e veçantë, himarjotët kanë qenë gjithmonë në fokus. Himara pavarësisht problematikës që është krijuar me çështjen që përmendët ju, do t’i rikthehet qetësisë dhe përditshmërisë. Po aq i sigurtë jam që himarjotët, që reagojnë ndoshta për shumë arsye, me të drejtë dhe pa të drejtë, do t’ju them me bindje që shumë pak kohë pas zgjedhjeve, do të binden që Himara ka filluar të kthehet në rrugën e drejtë në përditshmëri.
Problemet e himarjotëve kërkojnë zgjidhje, jo krijim krizash dhe situatash që kalojnë kufirin e Himarës si Himarë, apo Shqipërisë, siç ndodhi.
Që me ardhjen time në prefekturën e Vlorës një mori problemesh janë trajtuar, sidomos problemi i regjistrimit të pronave. Do të qëndroj dhe do ta kem sfidën time personale zgjidhjen e të gjithë problemeve dhe sheshimin e të gjithë keqkuptimeve dhe mosmarrëveshjeve. Himarjotët kanë një karakter të veçantë, duhen trajtuar siç janë, himarjotë, kanë sensibilitetin e tyre. Kanë edhe egon e tyre, që është normale. Vjen nga historia shumë e gjatë e Himarës, një histori që me plot të drejtë ata mund të mburren.
Me aq sa më njihni edhe ju, jam shquar në politik si njeri i zgjidhjeve dhe jo i krizave. Jam këtu për të dhënë zgjidhje të të gjithë problematikave që kanë patur himarjotët. Jam i bindur që do t’ja dalë. Premtimet e mia nuk janë thjesht elektorale, sic mund të ketë ndodhur, janë probleme që mund të zgjidheshin edhe më përpara por nuk janë zgjidhur. Është cështja e pronave të himarjotëve, që me këmbënguljen e kryeministrit, ka filluar zgjidhja e çertifikimit të banesave. Deri më sot kemi shpërndarë 1226 çertifikata pronësie.
Edhe himarjoti i fundit do të ketë marrë çertifikatën e pronësisë. Kjo çështje nuk do të ekzistojë më, do të zgjidhet përfundimisht. Nuk është premtim elektoral, por është një çështje që ka nisur dhe do të përfundojë. Është këmbëngulja e kryeministrit të Shqipërisë për ta zgjidhur këtë”, tha Tavo.