Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani (NCA) bëri të ditur sot se tetë persona janë vënë në pranga në kuadër të një hetimi që lidhet me një rrjet ndërkombëtar burrash, të dyshuar se drogonin gra dhe më pas ushtronin abuzim seksual ndaj tyre.
Sipas NCA-së, institucioni britanik që merret me hetimin e krimit të organizuar ndërkombëtar dhe veprave të rënda penale, është zbuluar një rrjet me shtrirje ndërkombëtare, i përbërë kryesisht nga burra, të cilët dyshohet se organizonin sulme seksuale ndaj grave pasi i vinin ato nën efektin e lëndëve narkotike.
Të lidhura
None found
Hetimi u vu në lëvizje pasi gazetarë gjermanë zbuluan në vitin 2025 një forum online ku qarkullonin materiale dhe informacione të lidhura me këto krime. Pas kësaj, NCA arriti të identifikojë atë që e cilësoi si “një rrjet ndërkombëtar”, me anëtarë të shpërndarë në dhjetëra shtete dhe në të gjitha kontinentet.
Veprimet hetimore mbi platformën, emri i së cilës nuk është bërë publik, çuan në arrestimin e tetë personave në Britani. Në të njëjtën kohë, 14 hetime të tjera po zhvillohen si në Mbretërinë e Bashkuar, ashtu edhe në vende të tjera.
Autoritetet kanë bërë me dije se deri më tani janë identifikuar më shumë se 270 persona të lidhur me këtë forum.
Rasti ka sjellë sërish në qendër të vëmendjes historinë e francezes Gisèle Pélicot, e cila për vite të tëra drogohej nga bashkëshorti i saj, Dominique Pélicot. Më pas, ai ftonte burra të panjohur që ta përdhunonin pa dijeninë e saj. Pas gjyqit ndaj Dominique Pélicot, në vende të ndryshme të Evropës janë zbuluar shumë raste të ngjashme, kryesisht në Gjermani dhe Holandë.
“Sulmet seksuale të lehtësuara nga përdorimi i drogës nuk janë më incidente të izoluara, por po bëhen gjithnjë e më të organizuara”, deklaroi Nigel Leary, zëvendësdrejtor i NCA-së.
Ai theksoi më tej se platformat dixhitale po e nxisin këtë fenomen dhe shtoi se “shkalla e këtij fenomeni që kemi parë deri tani është thellësisht shqetësuese”.
