Zgjatet armëpushimi në Sudan, por luftimet vazhdojnë

Fraksionet rivale të ushtrisë sudane kanë rënë dakord të rinovojnë një armëpushim tre-ditor, pak para se të skadonte.

Zgjatja, për 72 orë të tjera, pason përpjekjet intensive diplomatike nga vendet fqinje, si dhe SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe OKB.

Por ka raporte të vazhdueshme për luftime të ashpra në kryeqytetin Khartoum.

Luftimet janë raportuar gjithashtu në rajonin perëndimor të Darfurit dhe provinca të tjera.

Të paktën 512 njerëz janë vrarë në luftime dhe pothuajse 4200 janë plagosur, megjithëse numri real i vdekjeve mund të jetë shumë më i lartë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se priste të kishte “shumë më shumë” vdekje për shkak të shpërthimeve të sëmundjeve dhe mungesës së shërbimeve.

Zyrtarët shëndetësorë thonë se shumica e spitaleve në zonat e konfliktit nuk funksionojnë dhe më shumë se 60% e objekteve shëndetësore në Khartoum janë joaktive.

Kujtojmë se luftimet shpërthyen më 15 prill si rezultat i një lufte të ashpër për pushtet midis ushtrisë së rregullt dhe RSF.

Komandanti i ushtrisë, gjenerali Abdel Fattah al-Burhan dhe shefi i RSF-së, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur si Hemedti, nuk pajtohen rreth lëvizjes së propozuar të vendit drejt sundimit civil, dhe në veçanti rreth kornizës kohore të përfshirjes së 100,000 RSF-ve në ushtri.

Të dy fraksionet kanë frikë nga humbja e pushtetit në Sudan, sepse në të dyja palët ka burra që mund të përfundojnë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për krimet e luftës të kryera në Darfur pothuajse 20 vjet më parë./albeu.com


Shtuar 28.04.2023 08:12