Zelensky ngre alarmin: Bllokada e portit rus mund të nënkuptojë miliona të vdekur nga uria

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, akuzoi Rusinë se po vazhdon t’i “bëjë shantazh botës përmes urisë” duke bllokuar portet e Ukrainës dhe duke frenuar eksportet e grurit, misrit, vajit vegjetal dhe produkteve të tjera ushqimore.

Në një mesazh të regjistruar në video për mbrëmjen gala të revistës Time të enjten, presidenti Zelenskyy tha se veprimet e Rusisë e kanë lënë botën “në prag të një krize të tmerrshme ushqimore”.

“Miliona njerëz mund të vdesin nga uria nëse vazhdon bllokada ruse e Detit të Zi”, tha zoti Zelenskyy.

Rusia ka fajësuar sanksionet ndërkombëtare për rënien e eksporteve dhe ato që thotë se janë minat e Ukrainës në Detin e Zi.

Luftimet e ashpra vazhduan të enjten në qytetin lindor të Sievierodonetskut dhe zyrtarët ukrainas që thanë se u nevojitet artileri me rreze të gjatë veprimi për të mposhtur forcat ruse që kanë pushtuar zona të mëdha.

Presidenti Zelenskyy tha në një fjalim të veçantë të mërkurën vonë se beteja për Sievierodonetskun është “një nga më të vështirat” e luftës, ndërsa theksoi rëndësinë e tij në rajonin kyç të Donbasit.

“Në shumë mënyra, fati i Donbasit tonë po vendoset atje”, tha presidenti Zelenskyy.

Forcat ukrainase u detyruan të tërhiqen në periferi të Sievierodonetskut të mërkurën pas një sulmi të ashpër rus.

Ditë më parë, forcat ukrainase nisën një kundërofensivë që u dha atyre kontrollin e rreth gjysmës së qytetit, por guvernatori rajonal i Luhanskut, Serhiy Haidai i tha medias RBC-Ukrainë se kur Rusia filloi të rrafshonte qytetin me bombardime dhe sulme ajrore, nuk kishte kuptim të qëndrohej më gjatë.

“Forcat tona tani kontrollojnë përsëri vetëm periferinë e qytetit,” tha guvernatori Haidai. “​Por luftimet po vazhdojnë; forcat tona po mbrojnë Sievierodonetskun. Është e pamundur të thuhet se rusët kontrollojnë plotësisht qytetin”.

Ai pranoi vështirësitë për forcat e Kievit, duke thënë për agjencinë Associated Press se “gjithçka që zotëron ushtria ruse – artileri, mortaja, tanke, aviacion – të gjitha po i përdor në Sievierodonetsk për të fshirë qytetin nga faqja e dheut dhe për ta marrë plotësisht nën kontroll”.

Guvernatori Haidai tha se forcat ukrainase mund të tërhiqen në pozicione më të mbrojtura, të tilla si Lysychansku, një qytet përtej lumit Siverskyi Donets që ndodhet më në lartësi. Ai ka sugjeruar edhe më parë se forcat e Kievit do të duhet të tërhiqen për të shmangur rrethimin./VOA