Vuçiç “braktis” dialogun Kosovë-Serbi, Bërnabiç përballë Kurtit në bisedime?

Aktualisht në bisedimet Kosovë -Serbi, që zhvillohen në Bruksel, shefa të dy palëve janë Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç. Por, ka elemente që tregojnë se protagonistët e dialogut mund të ndryshojnë. Vuçiq dha sinjale se qeveria serbe në krye me Ana Bërnabiç mund t’i marrë “frerët” në duar. Për këtë mundësi u pyet në CNN dhe Kryeministri Albin Kurti, ku edhe dha opinionin e tij.

Në dialogun Kosovë -Serbi mund të ndryshojë përfaqësimi, nëse mund të merren të sakta sinjalet që i dha Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç nga Nju Jorku të  mërkurën mbrëma dhe ajo që trajtoi televizioni CNN në intervistë me Kurtin.

Presidenti bëri një paralajmërim të çuditshëm duke thënë se nuk do të pranojë kurrë që Kosova të bëhet pjesë e OKB-së.

Sipas tij, Qeveria e Serbisë mund ta bëjë një gjë të tillë, por se ai si president nuk do të nënshkruaj.

Me këtë fjali Vuçiç e bën papritmas Qeverinë e Serbinë pjesë të lojës së dialogut edhe pse Kryeministrja atje nuk ka peshë politike dhe varet ekskluzivisht nga Vuçiç.

“Serbia nuk do ta lejojë kurrë anëtarësimin e Kosovë në OKB, derisa jam unë President. Ndoshta Qeveria vendos ndryshe, por nuk do ta ketë nënshkrimin tim. Por a duam zgjidhje kompromis dhe raporte të mira, natyrisht se duam. Por së pari t’i shohim të drejtat e serbëve, se çka fitojmë ne dhe se a po respektohet Rezoluta 1244. Por kam frikë se kjo nuk është krejtësisht reale” ka shtur Vuçiq

Në të kaluarën, kur Ivica Daciç ishte në krye të Qeverisë së Serbisë, ishte pikërisht ai që nënshkruante me Kosovën marrëveshje ne Bruksel

Pastaj me fuqizimin e Vuçiç dialogu bartej aty ku ai ishte në pozitë, në Kryeministri apo Presidencë.

Mundësia që Bërnabiq të marrë rol në dialog dhe të takohet me Kurtin është përmendur edhe në CNN nga gazetarja Christianne Amanpour, e cila e pyeti Kurtin nëse Kryeministrja serbe mund të jetë partnerja për marrëveshje.

CNN madje e ilustroi pyetjen e gazetares me pamje të Bërnabiç në Veri të Kosovës.

“Fatkeqësisht, Serbia nuk është demokraci ku njerëzit që nuk kanë marrë pjesë në krimet e viteve 90’të mund ta udhëheqin vendin. Keni kryeministër në Serbi, por Serbia është ende “one man show”. Presidenti i tyre është ai që vendos krejt kohën” tha Kurti kur u pyet për  Bërnabiçin  në dialog.

“Unë e lejova zonjën Bërnabiç ta vizitojë veriun e Kosovës dhe shpresoj se me këto vizita ata mund të shohin është vend normal dhe më demokratik se Serbia dhe më e pavarur se Serbia, sepse Serbia është varur nga Rusia” tha ai.

Kohëve të fundit ka një angazhim të shtuar të SHBA-së dhe BE-së për të kërkuar një marrëveshje Kosovë -Serbi, Kurti thotë se ka shpresa.

“Shpresoj se në javët dhe muajt e ardhshëm do t’i afrohemi marrëveshjes ligjërisht obligative” tha ai në CNN.