Vrasja që tronditi Maqedoninë, ministri i Brendshëm: Babai i 14-vjeçares e bëri për para

Ministri për punë të brendshme, Oliver Spasovski para gazetarëve ka thënë se vrasjet janë kryer nga njerëz të njejtë por nuk lidhen me njëra tjetrën. Vrasja e të miturës Vanja Gjorçevska është kryer për arsye financiare, duke e kidnapuar vajzën për të marrë para nga nëna, kurse vrasja e dytë, e 74 vjeçarit nga Velesit, ka lidhje me konflikte të mëhershme.

“Edhe pse Maqedonia priti që t’i gjejmë të gjallë, ne dy viktimat i gjetëm të vdekur. Në emër të gjithë MPB-së i shpreh ngushëllimë familjes dhe gjithë Maqedonisë. Pesë persona janë të përfshirë në këtë vrasje. Tre personave ju është caktuar paraburgim, njëri është në arrati kurse babai i të miturës është ndaluar nga policia, si pjesmarrës në këto ngjarje duke dhënë informacione për vendin e ndodhjes së vajzës” tha mes tjerash Spasovski.

“Tek vrasja e së miturës bëhet fjalë për kushtëzim që të merren para nga nëna e vajzës, dhe kjo është bërë në dijeni të një familjari”, tha Spasovski.

“Ngjarja e dytë, vrasja e 74 vjeçarit nuk lidhet me vrasjen e së miturës, por vetura e viktimës së parë është shfrytëzuar gjatë kidnapimit të së miturës Vanja Gjorçevska. Kemi informacione se personi i dytë i vrarë, 74 vjeçari është vrarë vetëm pse ka pasur konflikt më herët me një nga të dyshuarit për krimin e kryer”

Gjatë rrëmbimit të vajzës së mitur është përdorur vetura e të moshuarit të vrarë në Veles, derisa viktimat nuk janë njohur me njëri-tjetrin, kështu deklaroi në konferencën e sotme ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. Sipas tij rrëmbimi i vajzës është bërë me informacion paraprak nga babai i saj.

Ministri Spasovski tha se motivi i dy vrasjeve ka qenë interesi, ndërsa në një rast është përfshirë edhe një person nga familja më e afërt e viktimës.

“Një prej personave, në marrëveshje dhe në dijeni, sipas konstatimeve fillestare, të një familjari ka organizuar ekzekutimin e krimit, me qëllim zhvatjen e parave nga nëna e të miturës, nga të cilat të gjithë personat e përfshirë do të përfitonin financiarisht”, tha Spasovski. 14 vjeçarja u raportua e zhdukur që nga 14 nëntori.

Viktima nga Velesi nuk ka lidhje me të miturën e vrarë, por në të dyja rastet autorët ishin të njejtë dhe se 74 vjeçari u vra për shkak të marrëdhënieve të pa-pastruara me të dyshuarit. Automjeti i viktimës pas vrasjes është konfiskuar dhe më pas djegur.

E mitura Vanja është marrë nga banesa me atë mjet, pasi babai ka ndarë informacione për ditën dhe orën kur vajza do të dilte nga shtëpia.

“Ekzekutuesi kryesor, i cili e vrau të miturin me armë, u frikësua nga provat e hetimit, dhe është arratisur, po i ndjekim gjurmët e këtij përbindëshi dhe ai do të dalë para drejtësisë”, tha Spasovski.


Shtuar 4.12.2023 10:37