Vrasja në piceri zbuloi rrjetin shqiptar të kokainës, dënohen 11 anëtarë të grupit kriminale

Gjykata penale në Bruksel ka dënuar njëmbëdhjetë anëtarë të një grupi të trafikut të kokainës me burgim nga një deri në dhjetë vjet. Grupi kriminal u zbulua pas të shtënave në një piceri në Strombeek në prill 2020.

Menaxheri u qëllua për vdekje në mes të ditës. Viktima ishte kreu i dyshuar i bandës, ndërsa autori një shtetas shqiptar. Grupi kriminal vepronte nga Grimbergen. Sipas prokurorisë publike Halle-Vilvoorde, banda importoi të paktën 84 kilogramë kokainë nga Kolumbia dhe Holanda, e presoi në Belgjikë dhe më pas e transportoi në Itali me makina me ndarje të modifikuara.

Rrjeti i drogës, i përbërë kryesisht nga shqiptarë e bullgarë, u ekspozua pasi pronari i një picerie në Strombeek-Bever u qëllua në mes të ditës në prill 2020. Burri mbeti i plagosur rëndë në vendngjarje, por më pas ka ndërruar jetë nga plagët e marra në spital. Makina e arratisjes së autorit është gjetur e djegur në Meise.

Arma e vrasjes ishte në makinë. I dyshuari, ndoshta një vrasës me pagesë, u arrestua pak më vonë në Merchtem. 37-vjeçari shqiptar ndodhet ende në paraburgim në pritje të gjykimit. Pas vrasjes së pronarit të picerisë, vëllai i tij mësohet se ka marrë drejtimin e rrjetit të drogës.

Burri, së bashku me njëmbëdhjetë të dyshuar të tjerë, u ndoqën penalisht nga zyra e prokurorit publik Halle-Vilvoorde. Njëmbëdhjetë prej tyre morën dënime me burg nga një deri në dhjetë vjet. E veja e pronarit të picerisë u shpall e pafajshme.