Vrasja në Elbasan në prag të zgjedhjeve, shtyhet sërish seanca për Arbër Paplekaj

Është shtyrë sërish seanca gjyqësore për Arbër Paplekajn i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021.

Shkak për shtyrjen e seancës është bërë fakti se nuk janë njoftuar të gjitha palët dhe në rastin konkret nuk është njoftuar për të dytën herë Emiljano Prenga i cili mbeti edhe i plagosur”.

Vetë Arbër Paplekaj nuk ishte sot i pranishëm në seancë, por vetëm avokati i tij Mirash Martini, i cili foli dhe për median në fund.

Kujtojmë se dosja e 21 prillit 2021 po shqyrtohet e gjitha bashkë përfshirë edhe punonjësit e policisë. Mirash Martini avokati i Paplekajt ka kërkuar heqjen e çështjes nga Gjykata e Elbasanit. Ai i është drejtuar me një kërkesë gjykatës së Lartë dhe gjykatës së Elbasanit. Gjykata e Elbasanit nuk mund të vendosë largimin e çështjes kështu që në lidhje me këtë kërkesë pritet të shprehet Gjykata e Lartë.

Kërkesa e avokatit justifikohet me faktin që persona me rrezikshmëri të lartë të përfshirë në ngjarjen e 21 prillit në Elbasan janë ende të lirë.

Në 21 prill të vitit 2021, gjatë një përplasje me armë mes dy grupimeve politike mbeti i vrarë mjeku Pjerin Xhuvani, ndërsa mbetën të plagosur 4 persona të tjerë mes të cilëve edhe një punonjëse policie.

Pas ngjarjes, në polici u vetëdorëzua Arbër Paplekaj, shoqërues i drejtuesit politik të PD të Elbasanit në atë kohë Gazmend Bardhit.