Vigjilje Krishtlindjesh, mesazhi i Imzot George Frendo: Fute dorën në xhep dhe jepu të varfërve sa të mundesh

Në vigjilje të Krishtlindjeve, Imzot George Frendo, Arqipeshkvi Metropolit Tiranë Durrës, ka dhënë një mesazh.

Në mesazhin e tij, Imzot George Frendo kujton se Krishtlindja është mister i madh i dashurisë dhe u kërkon njerëzve të fusin dorën në xhep për të ndihmuar të varfrit.

Mesazhi:

Shën Nënë Tereza tha: “Krishtlindja është çdo herë që ti e lejon Hyjin të dojë të tjerët nëpërmjet teje”. Sa të bukura janë këto fjalë! Domethënë e lejojmë Zotin që, nëpërmjet nesh, të lindë përsëri si dashuri e mishëruar. Më dashurinë tënde ndaj të tjerëve ti bëhesh vegël që të pasqyrohet dashuria e Hyjit ndaj tyre. E pse kjo dashuri përkujton Krishtlindjen? Sepse Krishtlindja është misteri i madh i dashurisë shumë bujare të Hyjit për njeriun.

Krishtlindja na kujton se nuk kemi të drejtë ta mbajmë gëzimin tonë vetëm për vete. Gëzimi është një nga frytet e Shpirtit Shenjt, që duhet ta ndajmë dhe ta përhapim me të tjerët. A e dini çfarë bëri Maria pasi kishtë marrë lajmin nga engjëlli se do të bëhej nëna e Jezusit shpëtimtar? Shkoi më nxitim tek Elizabeta, e cila, e shtyrë në moshë, mrekullisht ishte në muajin e gjashtë të shtatzanisë së saj. Shkoi tek Elizabeta për ta ndarë gëzimin e saj me kushërirën e vet, por edhe për ta ndihmuar Elizabetën në muajt e fundit të shtatzanisë së saj.

Pra mendo pak për mënyra të ndryshme si ti mund të tregosh një dashuri më bujare ndaj të afërmit tënd. Fute dorën në xhep, nxirr lekë sa të mundesh, jepua të varfërve. Edhe ata kanë të drejtë për pak gëzim. Në këtë mënyrë të siguroj se do të bëhesh më i pasur sesa ke qenë më parë, sepse ke fituar një thesar në qiell.

Në këtë moment a mund të mendoni për ndonjë person që, në këtë kohë aq të veçantë, ka nevojë që ti ta ndash gëzimin tënd më të? A mund të bëhesh për të postier apo postiere gëzimi, dukë i dhuruar buzëqeshjen tënde, dashurinë tënde, e ndoshta edhe ndonjë dhuratë të vogël? A ka, afër shtëpisë sate, një plak osë një çift pleqsh që banojnë vetëm e nuk kanë pasur asnjëri për t’i uruar: “Gëzuar Krishtlindjen”? Dhe këtë duhet ta bëjmë jo vetëm ne, por edhe politikanët dhe ata që kanë në dorë fatin e vendit tonë.

Në lindjen e tij Jezusi bashkohet me më të varfërit. Ai i ka mbrojtur dhe edhe ne duhet t’i mbrojmë. Jezusi na tha se ne mund, madje duhet, ta takojmë në personin e atij që është i uritur, i etur, i zhveshur, i sëmurë dhe pa streh.

Shkrimtari i famshëm hebre, Jonathan Sacks (i cili vdiq para një viti) ka shkruar: “Një komb është i fortë kur kujdeset për të dobëtit; bëhet i pasur kur kujdeset për të varfrit; bëhet i palëndueshëm kur kujdeset për të lënduarit”. Nëse interesohemi për të ardhmen e demokracisë, duhet të rizbulojmë atë qëndrim moral që na bashkon njëri me tjetrin në një lidhje dhembshurie dhe kujdesi të ndërsjelltë./albeu.com


Shtuar 23.12.2021 11:30