Vdes 33 vjeçarja në Fushë Kosovë, dyshohet se është dhunuar për vdekje

Një grua është gjetur e pajetë mesditën e sotme në fshatin Vragoli të Fushë Kosovës. Zëdhënësi i policisë për Prishtinën, Agron Borovci ka deklaruar se rasti ka ndodhur rreth orës 12:00, teksa policia është lajmëruar për një vdekje të dyshimtë.

“Rreth orës 12:00, kemi pranuar informatën për një rast vdekje e dyshimtë, në fshatin Vragoli të Fushë Kosovës. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës femër 33 vjeç”, ka deklaruar Borovci për Express.

Ai tha se sipas të dhënave fillestare nga vendi i ngjarjes, dyshohet se ka elemente të vdekjes së dhunshme, por rasti po hetohet si “vdekje e dyshimtë”.

“Mbështetur në të dhënat fillestare të këqyrjes së vendit të ngjarjes përkundër që ka elemente që sugjerojnë për një vdekje të dhunshme, policia me kujdes të shtuar po heton rastin si vdekje të dyshimtë dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit”, ka deklaruar Borovci.

Shtuar 9.05.2021 02:05