Vdekja tragjike e 51-vjeçarit në Kurbin, vjen reagimi i parë i policisë

Policia ka reaguar për vdekjen tragjike të 51-vjeçarit Ylli Tafili në Kurbin.

Sipas burimeve nga policia, ai ka rënë në një kanal kullues dhe pasi ka marrë ndihmën e parë nuk ka arritur të mbijetojë.

Ndërkohë policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po heton për zbardhjen e plotë të saj.

Njoftimi i Policisë:

Kurbin/Informacion paraprak

Në fshatin Shullaz, Kurbin, shtetasi Y. T., 51 vjeç, dyshohet se ka rënë në një kanal kullues pranë banesës së tij, prej ku është nxjerrë nga të afërmit dhe është dërguar në banesë për t’iu dhënë ndihma e parë.

Në banesë, ai nuk është ndjerë mirë dhe është dërguar në Spitalin Rajonal Kurbin për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, por ka humbur jetën. Paraprakisht, dyshohet se shtetasi Y. T. ka humbur jetën si pasojë e infarktit. Trupi i 51-vjeçarit do të dërgohet në morgun e IML Tiranë, për ekzaminime të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar  për t’i marrë në pyetje, të gjithë personat që kanë qenë prezentë në momentin që ka rënë në kanal 51-vjeçari.

Shtuar 18.08.2022 22:44