Kanë dalë të reja të tjera nga dëshmia e punonjësve të pishinës së hotelit në qerret ku humbën jetën 4 shtetasit rusë, të cilët kishin ardhur me pushime në Shqipëri.
A2 CNN ka siguruar dëshmitë e dy prej punonjësve të hotelit në Qerret të Kavajës ku humbën jetën tragjikisht 4 rusë të së njëjtës familje.
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur një javë më parë grupi hetimor mori në pyetje dhe punonjësin e pishinës personin me iniciale N.H. i cili tha për hetuesit se si çdo ditë ai bënte pastrimin e pishinës në të cilën ka hedhur vetëm një gotë me klor:
“Jam punëtor ndërsa procedurën ma ka mësuar punonjësi para meje duke më treguar dhe protokollin. Pastrimin e bëj çdo ditë në mëngjes. Fillimisht e bëj me pompë dhe me fshesë të posaçme.
Më pas, në fund bëj lavazh filtrat e pishinës dhe hedh vetëm një gotë me klor në pishinën e cila mban 60 tonë ujë.
Si çdo ditë edhe me 14 tetor bëra pastrimin në orën 8 ose 8:30 të mëngjesit ku në kanalin kullues hodha një gotë klor”, tha ai.
Veç dëshmisë së punëtorit të pishinës, i cili mesa duket hedh poshtë dhe variantin e pistës së toksifikimit nga klori, dëshmi para hetuesve dha menaxherja e përgjithshme e hotelit, Xhudiljana Pole.
Ajo tha se turistët prej një jave qëndronin në hotel, ndërsa kishin marrë me qira një automjet.
“Shtetasit kanë qëndruar një javë në resort. Turistët e kalonin kohën më shumë jashtë hotelit sepse kishin marrë me qira një automjet.
Më 14 tetor, ata kishin rezervuar në recepsion që të përdornin SPA. Në orën 18:00 kontrolluam pishinën, temperaturën e ambientit, higjienën e çdo gjë më është dukur në rregull. Çdo gjë sipas kushteve dhe parametrat ishin brenda normave. Sipas termometrit temperatura shënonte 27 gradë.
Turistët hynë në SPA në orën 20:30. Punonjësja e recepsionit H.K së bashku me sanitaren shkoi 30 minuta më pas në orën 21:00 për t’i pyetur nëse kishin nevojë për të pirë diçka.
Më pas në orën 21:40 minuta sërish me sanitaren shkoi punonjësja e recepsionit kur i pa turistët pa shenja jete”, tha menaxherja e hotelit, Xhudiljana Pole.
Ndërkohë ngjarja vijon ende të mbetet mister pasi nuk ka akoma një pikë të sigurt referimi ku do të përqëndrohen hetimet./albeu.com/