“Vazhdoni reformat”/ Ambasadori i BE në Tiranë: Duhet të ruani këtë ritëm, dialog politik për të përmbushur kriteret

Kuvendi luan një rol kyç në procesin e integrimit dhe Bashkimi Europian angazhohet me një projekt të ri për të forcuar kapacitetet e institucionit në zbatimin e reformave.

Në çeljen e projektit “EU for Democracy”, ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Silvio Gonzato, theksoi nevojën për reformat e kërkuara nga unioni.

Të lidhura

None found

“Për të përmbushur objektivin ambicioz, pra mbylljen e negociatave deri në fund të 2027, Shqipëria duhet patjetër që të ruajë këtë ritëm reformash. Reformat që kanë të bëjnë me BE duhet të jenë të përgatitura mirë, të konsultuara plotësisht dhe të vihen në zbatim, pasi ndikojnë në çdo sektor të shoqërisë dhe në jetën e çdo qytetari. Këto reforma do të bëjnë të mundur që fondet publike të përdoren në mënyrë efiçente”, tha Gonzato.

Teksa Shqipëria ndodhet vetëm një hap larg integrimit, ambasadori Gonzato iu drejtua me një mesazh të gjithë politikës.

“Të gjithë duhet të jenë të përfshirë në avancimin e Shqipërisë në BE. Këto reforma kërkojnë këmbëngulje të madhe politike. Projekti dëshiron të ofrojë mundësinë e vet për të fuqizuar kapacitet e Kuvendit për të ndjekur nga afër të gjitha reformat, për të nxitur dialogun ndërpartiak, që është shumë i rëndësishëm, pasi legjislacionet nuk funksionojnë vetëm me anën e mazhorancës në votim”, u shpreh ambasadori i BE.

Një thirrje për bashkimin e të gjithë politikës në procesin e integrimit të vendit u bë dhe nga kreu i Kuvendit, Niko Peleshi.

E pranishme në aktivitet, opozita ju përgjigj thirrjes së Peleshit me një kritikë për mazhorancën.

Projekti “EU for Democracy” është një partneritet mes Kuvendit, Bashkimit Europian dhe International IDEAL, që synon të mbështesë modernizimin e shërbimeve parlamentare, rritjen e transparencës dhe forcimin e bashkëpunimit me qytetarët, median dhe shoqërinë civile.


Shtuar 12.05.2026 19:47