Uragani Debby, pritet të godasë Floridan këtë të hënë, megjithatë shirat e rrëmbyeshëm dhe stuhitë e forta kanë nisur që prej orëve të para të mëngjesit.
Pasojat e para janë ndërprerja e energjisë, për më shumë se 100 mijë ndërtesa dhe përmbytje masive
Shteti amerikan i Floridas është përfshirë nga reshjet e shiut dhe erërat e forta, teksa pritetet që uragani Debby të zbresë në breg këtë të hënë, pranë zonës Big Bend.
Mes paralajmërimeve për pasoja katastrofike, rreth 100 mijë banesa e biznese kanë mbetur pa energji elektrike.
Qendra Kombëtare e Uraganeve, e vlerëson stuhinë në kategorinë e parë, që po lëviz me një shpejtësi prej 12 miljesh në orë.
Debby parashikohet të ngadalësohet ndjeshëm pas rënies në tokë, megjithatë pritet të shkaktojë reshje historike në Xhorxhia dhe Karolinën e Jugut, me përmbytje shkatërruese.
Qindra fluturime janë anuluar në disa shtete, dhe rrugët janë përmbytur.
Debby është stuhia e 4 e emërtuar e sezonit të uraganeve të Atlantikut 2024, pas stuhisë tropikale Alberto, uraganit Beryl dhe stuhisë tropikale Chris, të cilat të gjitha u formuan në qershor.
Sistemet tropikale po ngadalësohen me kalimin e kohës, tregojnë studimet, duke i bërë ato më të prirura për të prodhuar totale më të mëdha reshjesh.
Ndërkohë zona e Big Bend, është ende duke u rikuperuar nga uragani ‘Idalia’ që goditi gushtin e kaluar. Ky ishte uragani më i fortë që ka rënë në tokë në rajon në më shumë se 125 vjet.