Janë zbardhur detaje të reja nga atentati me armë zjarri e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë, në zonën e Astirit.
Burimet nga grupi hetimor bëjnë me dije se atentati ku i mori jetën Erigels Mihasit dhe Armando Dumanit është një vrasje e mirëmenduar dhe e organizuar deri në detaje.
Mësohet se dy të rinjtë janë ndjekur me makinë nga autorët dhe të dy mjetet kanë udhëtuar nga pallati me shigjeta në drejtimit të ish sheshit Shqiponja.
Sulmi me armë zjarri ka ndodhur ndërkohë që autorët kanë qënë në lëvizje dhe janë qëlluar me breshëri për 50 metra, deri tek “2 rrathët”.
Armët, dy kallashnikovë pa silenciator kanë qëlluar me breshëri mbi mjetin dhe plumbat kanë kapur të gjitha “Audin” ku ndodheshin dy të rinjtë.
Dyshohet se në këtë atentat të paktën kanë marrë pjesë 5 persona, 3 në makinë e krimit, dhe 2 të tjerë që e kanë ndihmuar për t’u larguar nga Thumana aty ku dogjën makinën e krimit me dy kallashnikovët pa silencitor.
Hetuesit kanë sekuestruar dhjetëra kamera sigurie, e po punojnë për identifikimin e autorëve, ku ka dyshime se autorët që ishin në automjetin “Toyota” informoheshin për lëvizjet e Mihasit dhe Dumanit.
Kush është viktima, Erigers Mihasi?
Mihasi, mosha e të cilit nuk dihet nuk është një emër I panjohur për policinë. Mësohet se ai ka një lidhje të ngushtë miqësie me shtetasin Ervis Martinaj, po aq I njohur për policinë e Shtetit.
3 vite më parë, Mihasi është shoqëruar nga policia për ngjarjen e ndodhur në lokalin Monopol, në ish-Bllok.
Më herët ai është arrestuar edhe si person i dyshuar për grabitjen, plagosjen, vjedhjen dhe torturimin e prindërve të Elton Çiços në Tepelenë, por gjykata e liroi nga qelia për mungesë provash.
Kush është Armando Dumani?
Armando Dumani, njihej si një person me precedent penal. Ai mësohet se ka kryer grabitje në një bankë të nivelit të dytë, nën kërcënimin e armës.
NJOFTIMI I POLICISË SË SHTETIT:
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 19:30, në vendin e quajtur “2 rrathët” në Unazë të Re, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjeti tip “Audi”. Si pasojë kanë humbur jetën dy shtetas ende të paidentifikuar, të cilët ishin brenda në mjet.
Menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe po kontrollojnë zonën me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Ndërkohë janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Tiranës.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë punon për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes dhe grumbullimin e çdo prove që do çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. /albeu.com/