U përfshinë në fushatë zgjedhore, pezullohen dy policët në Kosovë

Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës ka suspenduar zy zyrtarë policorë, njëri me detyrë në kuadër të departamentit të hetimeve dhe tjetri me detyrë në kuadër të departamentit të kufirit.

Të njëjtit dyshohet se janë përfshirë në aktivitetet dhe komente politike gjatë fushatës parazgjedhore të balotazhit, e që paraqet shkelje të rëndë disiplinore.

“Suspendimi i tyre është mbështetur në autorizimet ligjore, udhëzimin administrativ Nr.04/19 për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës, për të vazhduar me procedurat e mëtejme”, thuhet në njoftimin për media.

Poashtu është theksuar se Policia e Kosovës, do të vazhdojë angazhimet e saja në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, duke qenë profesionale në shërbim të vendit dhe të gjithë qytetarëve pa dallime.

“Andaj nuk do të tolerojë përfshirjen e asnjë punonjësi në aktivitete apo veprime që bien në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe udhëzimet administrative të PK-së”.


Shtuar 14.11.2021 08:52