Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, referuan materialet në Prokurori dhe proceduan penalisht, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, David Dano, 27-vjeç, banues në Vlorë.
Ndaj tij ka bërë kallëzim punonjësja e Policisë Bashkiake Vlorë, shtetasja A. R., 55-vjeçe, duke thënë se i riu është futur pa leje në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak Vlorë, duke ndërprerë zhvillimin e mbledhjes për disa minuta.
David Dano ka folur sot për ‘Breaking’ në TopNeës, ku ka treguar arsyen që e shtynë të reagonte në atë formë.
Ai u shpreh se kërkon dëmshpërblimin për banesën, teksa shton se po jetojnë në skamje.
“Po jetojmë në skamje, askush nuk ktheu përgjigje. Aktualisht jetoj në një banesë të pabanueshme, askush nuk do t’ia dijë. Kur kërkoj llogari në bashki, më drejtojnë nëpër ministri, delegojnë përgjegjësitë”, tha ai.