Tornadot shkatërruese vrasin 18 persona në SHBA, mijëra familje pa energji elektrike

Të paktën 18 persona humbën jetën në SHBA-në jugore dhe lindore-qendrore pasi tornadot dhe stuhitë e forta shkatërruan shtëpitë dhe bizneset në vend, duke lënë qindra mijëra familje pa energji elektrike.

Ndërkaq autoritetet lokale paralajmërojnë për stuhi të forta në verilindje të vendit.

Tornadot goditën dje shtetin jugor të Arkansas, duke vrarë pesë persona, tha në një konferencë shtypi, Sarah Huckabee Sanders, guvernatorja republikane e shtetit rural. Sanders shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në zonë.

“Arkansasi qendror pësoi dëme të konsiderueshme”, shkroi ajo në Twitter.

Në Tenesi, shtatë njerëz vdiqën si rezultat i motit të keq që goditi McNairy County, në lindje të Memphis, tha për AFP zëdhënësja e menaxhimit të fatkeqësive shtetërore Maggie Hannan.

Qarku Pulaski, i cili përfshin kryeqytetin e Arkansas, Little Rock, u godit rëndë. Banorët atje u zgjuan me një pamje shkatërrimi.

Tornado shkatërroi çatitë dhe muret e ndërtesave, shpërndau makinat si të ishin lodra, shkuli pemët dhe rrëzoi një pjesë të rrjetit elektrik.

“Shumë njerëzve u është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehim,” tha kryebashkiaku i Little Rock, Frank Scott.

Autoritetet atje raportuan një vdekje dhe 28 të plagosur, përfshirë pesë persona në spital me lëndime të rënda.

Gjithashtu në Indiana janë raportuar 3 të vdekur.

Më shumë se 650,000 shtëpi mbetën pa energji sot në Ohajo, Pensilvani, Tenesi, Kentaki dhe Virxhinia Perëndimore, sipas US PowerOutage.

Një javë më parë, një tornado përfshiu Misisipin, duke vrarë 25 njerëz dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale./albeu.com/