Ministria e Arsimit ka reaguar pas publikimit te tezës së Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, përmes një postimi në Facebook. Ministria shkruan se publikimi i tezës së Maturës Shtetërore është një orkestrim politik dhe se do të kallëzohet penalisht ai që e nxorri.
REAGIM I MASR:
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) me shumë shqetësim e ka ndjekur rastin e sotëm të publikimit të pyetjeve pas fillimit të provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë të Maturës Shtetërore 2021.
Vëmë në dijeni opinionin publik se ky rast, apo çdo rast tjetër i ngjashëm me të, që orkestrohet qëllimisht nga individë të ngarkuar politikisht do të çohen para drejtësisë në mënyrë që të mos cënohet procesi i Maturës Shtetërore. Ndjejmë keqardhje që ata gjejnë mënyrën më të pahijshme për të injektuar panik të panevojshëm tek maturantët dhe tek prindërit e tyre, ndërsa duhet të ishin bashkëpunues për të mirën e arsimit.
MASR do të kallëzojë penalisht shtetasin, i cili ka publikuar testin e Maturës Shtetërore të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë të datës 7.6.2021 në rrjetet sociale gjatë kohës kur provimi ishte ende duke u zhvilluar, si dhe të gjithë pjesëmarrësit në procesin e Maturës Shtetërore të cilët kanë shkelur rregullat duke fotografuar dhe dërguar jashtë qendrave të provimit këtë test, gjatë kohës që ishte duke u zhvilluar.
Publikimi i testit në rrjete sociale pasi provimi kishte filluar NUK ka ndikuar në mbarëvajtjen e këtij provimi, teksa vlen të nënvizohet se i gjithë procesi është zhvilluar në zbatim të Rregullores së Maturës Shtetërore.
MASR dhe institucionet e saj të varësisë sigurojnë maturantët dhe prindërit e tyre se provimet janë zhvilluar dhe do të zhvillohen me të njëjtin përkushtim e vullnet për të realizuar një administrim të suksesshëm të këtij procesi.