Testet e raketave nga Koreja e Veriut, Shqipëria thirrje Kim Jong Un-it: Hiq dorë nga provokimet!

Ditën e sotme, Këshilli i Sigurisë në Kombet e Bashkuara është duke diskutuar në një seancë emergjente të thirrur nga Shqipëria, mbi testimet e të paktën katër raketave me potencial bërthamor nga Koreja e Veriut.

Gjatë fjalës së saj, ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield ka akuzuar Kinën dhe Rusinë se i kanë krijuar një farë mbrojtjeje diktatorit Kim Jong Un, duke penguar forcimin e sanksioneve nga Këshilli i Sigurisë.

“DPRK (Koreja e Veriut) ka gëzuar mbrojtje të plotë nga dy anëtarë të këtij këshilli,” tha ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield.

“Me pak fjalë, dy anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit kanë mundësuar Kim Jong Un”, shtoi ajo.

Edhe Shqipëria dënoi testimet e Koresë së Veriut, duke kërkuar që Kim Jong Un “të mbahet përgjegjës për tmerrimin e banorëve japonezë dhe kërcënimin e të gjithë gadishullit të Koresë”. “Sanksionet ndaj DPRK-së duhet të implementohen plotësisht. Hiqni dorë nga provokimet dhe kthejuni dialogut dhe diplomacisë, si e vetmja rrugë përpara”, deklaroi përfaqësuesja e Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë në OKB.

Këshilli prej 15 anëtarësh u mbodh këtë të mërkurë pasi Koreja e Veriut e armatosur me armë bërthamore testoi një raketë balistike që fluturoi mbi Japoni për herë të parë në pesë vjet.

Kina dhe Rusia e kundërshtuan mbledhjen e Këshillit, duke argumentuar se nuk do të ishte e favorshme për të lehtësuar situatën.