“Tërmet” me pronat? Me urdhër të SPAK, arrestohet ish-drejtoresha e Kadastrës së Durrësit

Rajmonda Dashi, ish-drejtoresha e Kadastrës në Durrës është arrestuar ditën e sotme, 26 tetor.

Në zyrat e Kadastrës Kamzë Vorë kanë zbarkuar forca të policisë dhe prokurorë të SPAK dhe BKH-së.

Dashi aktualisht mban postin e  specialistes tek Drejtoria Vendore e Kadastrës Kamzë-Vorë.

Momenti i shoqërimit duket se ka shkaktuar panik te punonjësit, pasi mësohet se ishin 3 oficerë të policisë, të cilët e kanë tërhequr jashtë ambienteve të institucionit.

Më 15 dhjetor të vitit 2021 Rajmonda Dashi dha dorëheqjen nga drejtimi i Kadastrës së Durrësit dhe në vend të saj u emërua Risena Xhaja.

Edhe pse në atë kohë ishin të paqarta arsyet e këtij vendimi, shoqërimi i sotëm i Dashit duket se ka të bëjë me abuzime dhe shkelje me pronat dhe hipotekat në Durrës gjatë kohës që ajo ushtronte detyrën si drejtuese e Kadastrës së këtij qyteti.

Po ashtu raportohet se Dashit i kanë sekuestruar edhe celularin.

Ndërkaq ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga policia lidhur me hetimet e zhvilluara që kulmuan me shoqërimin e Rajmonda Dashit./Albeu.com