Tension në det, anija turke hap zjarr ndaj patrullës greke

Një incident është regjistruar këtë premte në brigjet detare Turqi-Qipro.

Sipas mediave greke, anija e Rojës Bregdetare të Qipros u detyrua të linte një zonë ku po patrullonte pas të shtënave me armë.

Zona ku ndodhi incidenti është rruga detare e përdorur nga trafikantët për të transportuar emigrantë të paligjshëm në zonat e lira të Qipros, pranë brigjeve të Turqisë.

Sipas policisë greke, anija greke me 3 anëtarë ekuipazhi po kryente kontrollin rreth orës 03:00 të mëngjesit në kuadër të migracionit ilegal në zonë.

“Rreth 11 milje detare larg nga kufiri, anijes iu afrua një anije turke e rojes bregdetare me qëllime agresive. Në një moment, roja bregdetare turke u kthye dhe qëlloi në një mënyrë paralajmëruese, ndërkohë që qipriotët grekë ishin kthyer prapa për në Kato Pyrgos që të evitonin ndonjë incident”.

Nuk raportohet për viktima apo të plagosur, megjithatë tensioni është i lartë në ishullin e ndarë prej më shumë se katër dekadash pasi turqit mësynë Qipron në vitin 1974.

Kryekëshilltari i Kato Pyrgos, Nicos Kleanthous e cilësoi incidentin e ndodhur si një “provokim serioz”. Ndërsa zëdhënësi i qeverisë u shpreh se nuk kishte ndonjë shkelje nga ana e marinës greke pasi ndodhej 11 milje brenda zonës së lejuar.

“Nuk ka justifikim për këtë sjellje të anijes turke. Policia e marinës thjesht po kryente një kontroll rutinë”, tha ai ndërsa shtoi se po mbledhin të gjithë informacionin e nevojshëm të çështjes për t’ia paraqitur atë Kombeve të Bashkuara.

Shtuar 16.07.2021 21:13