Të dënuar për krime të rënda, kaq qytetarëve iu hiqet e drejta e votës

Për pak orë, shtetasit shqiptarë do t’u drejtohen kutive të votimit, por ka prej atyre që e kanë të ndaluar të votojnë.

600 të dënuar të formës së prerë si trafikantë dhe kultivues droge, 755 të dënuar si vrasës, 39 të dënuar si anëtarë të organizatave kriminale dhe 36 të dënuar si shfrytëzues prostitucioni janë informuar nga institucionet e burgjeve se ndalohen përkohësisht të votojnë referuar ligjit të dekriminalizimit.

Zv. Drejtori i përgjithshëm i burgjeve, Femi Sufaj, shpjegon se çfarë do të ndodhë ditën e votimit.

“Janë rreth 1600 të dënuar që nuk votojnë përkohësisht, të tjerët që votojnë janë rreth 2 mijë të dënuar që ju lejohet”.

Por a do të votojnë të burgosurit në sistemin e ashpër 41 bis. Ata që janë të dënuar të formës të prerë për terrorizëm nuk do të votojnë. Të paraburgosur si Emiliano Shullazi, së bashku me katër të tjerë, për shkak se nuk janë të dënuar të formës së prerë janë të lirë të votojnë.

“Për shkak se ka hyrje të reja, dje dhe sot u jemi drejtuar gjykatave me 140 kërkesa të paraburgosurish që kanë hyrë rishtazi dhe i kërkohet gjykatës të shprehet për votimin e tyre”, u shpreh Sufaj./Tch

Shtuar 24.04.2021 03:04