Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është i një rëndësie të madhe, vendimtare për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e rajonit dhe se shpreson që të dyja palët “të kapin momentin” në dialog dhe të jenë konstruktiv në bisedimet e ardhshme.
Këtë ajo e tha gjatë një interviste të organizuar nga Agjencia Evropiane e Lajmeve, së bashku me 16 agjenci të tjera nga BE-ja, Ballkani Perëndimor dhe Ukraina.
Ajo ka diskutuar edhe për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me presidentin amerikan Joseph Biden dhe në pyetjen se sa është e rëndësishme për procesin e zgjerimit dhe stabilitetin e Evropës që Beogradi dhe Prishtina të normalizojnë marrëdhëniet, si dhe cilat janë pasojat nëse negociatat e 18 marsit në Ohër nuk sjellin rezultat, von der Leyen tha se kjo është një mundësi për të dyja palët dhe shprehu shpresën se (bisedimet) do të jenë konstruktive.
“Lufta në Ukrainë nënvizoi rëndësinë gjeostrategjike të procesit të zgjerimit. Ne dëshirojmë që partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor të jenë sa më afër nesh dhe sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Von der Leyen.
Ajo tha se kur është fjala për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ekziston një plan evropian dhe ai plan është në tavolinë.
“Mendoj se tani është një mundësi reale për të dyja palët që të përfitojnë nga momenti. Normalizimi është i një rëndësie të madhe, vendimtare për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e rajonit. Unë me të vërtetë shpresoj thellësisht që të dyja palët të jenë shumë konstruktive në bisedimet në vijim”, tha Von der Leyen.
E pyetur se cilat mund të jenë pasojat për të dyja palët nëse dialogu nuk sjell rezultate, ajo tha se duhet të presin negociatat dhe pastaj të shohin rezultatet. /Reporteri