Gjykata Themelore e Prishtinës, ka dënuar me burgim të përjetshëm serbët Bllagoje Spasojeviç dhe Vlladimir Tolliç, pasi u shpallën fajtorë për sulmin e armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2023.
Ndërsa i pandehuri i tretë, Dushan Maksimoviç, është dënuar me 30 vjet burgim.
Të lidhura
None found
Në shpalljen e aktgjykimit, i pranishëm ishte vetëm Dushan Maksimoviç. Të tre janë në mesin e 42 personave të akuzuar në total për ngjarjen e rëndë ku mbeti i vrarë efektivi i policisë Afrim Bunjaku.
Në mesin e këtyre personave, nën akuzë është vënë edhe Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, të cilin autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar si “kreu i grupit terrorist”.
Gjykata vendosi ta veçonte procedurën ndaj Spasojeviç, Tolliç dhe Maksimoviç, të cilët ndodhen në paraburgim nga shtatori i 2023-tës, kurse për 42 të tjerët refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale për gjykim në mungesë.
Më 24 shtator 2023 një grup i armatosur serbësh me armatim të rëndë, fillimisht bllokoi urën në fshatin Banjskë të Zveçanit, e më pas sulmoi policët që shkuan në vendngjarje për ta hequr kamionin nga rruga.
Gjatë sulmit të serbëve të armatosur u vra efektivi Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë policë. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, synimi ishte që ta ndanin veriun nga Kosova.
