“Stuhi” tërmetesh në Islandë, frikë nga shpërthimi vullkanik: 4 mijë persona evakuohen

Autoritetet islandeze kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pas një serie tërmetesh të fuqishme që tronditën gadishullin jugperëndimor të Rejkjanes, dhe kanë dhënë alarmin për shpërthimin e vullkanit.

Policia evakuoi Grindavík, një qytet peshkimi në jug-perëndim të ishullit. Qyteti me 3400 banorë ndodhet në gadishullin Reykjanes, rreth 50 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit, Rejkjavik.

Aktiviteti sizmik dhe vullkanik

Rajoni është tronditur nga qindra tërmete të vogla çdo ditë për më shumë se dy javë, ndërsa shkencëtarët monitorojnë një grumbullim magmë rreth 5 kilometra nën tokë.

Shqetësimi për një shpërthim të mundshëm të vullkanit Fagradalsfjall u rrit në orët e para të së enjtes kur një tërmet me magnitudë 4.8 ballë goditi zonën, duke detyruar resortin gjeotermik Blue Lagoon të mbyllet përkohësisht.

Aktiviteti sizmik filloi në një zonë në veri të Grindavik ku ka një rrjet krateresh 2000-vjeçare.

“Ne jemi vërtet të shqetësuar për të gjitha shtëpitë dhe infrastrukturën në zonë,” tha Vidir Reynisson, kreu i Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Islandës.

Brenda dy ditësh pritet një shpërthim, shtoi Reynisson. Qyteti i evakuuar është afër uzinës gjeotermale Svartsengi, furnizuesi kryesor i energjisë elektrike dhe ujit për 30,000 banorët e gadishullit Reykjanes.

Ndërkohë, është formuar një çarje rreth 15 km e gjatë dhe shpërthimi mund të ndodhë në çdo moment: edhe në det, duke qenë se një pjesë e çarjes është nën ujë.

Gjendja e jashtëzakonshme

“Kreu i policisë kombëtare shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të aktivitetit intensiv sizmik në Sundhnjukagigar, në veri të Grindavik.”

Kështu thuhet në një shënim nga Departamenti i Mbrojtjes Civile dhe Menaxhimit të Emergjencave, siç raportohet nga CNN.

Policia u ka kërkuar banorëve që të evakuojnë qytetin bregdetar të Grindavík pas një shpërthimi të mundshëm vullkanik.

Sipas Zyrës Meteorologjike Islandeze, pothuajse 800 tërmete u regjistruan midis mesnatës dhe orës 14:00 të së premtes (koha lokale), nga të cilët më i cekët ndodhi në një thellësi prej 3-3.5 kilometra.

Lëkundjet sizmike dhe lëkundjet e tokës kanë dëmtuar tashmë rrugët dhe ndërtesat brenda dhe përreth qytetit port.


Shtuar 12.11.2023 19:36