Studentët kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës/ Media italiane “Il Fatto Quotidiano”: Tirana në revoltë! Të rinjtë protestojnë prej disa muajsh kundër qeverisë

Media italiane “Il Fatto Quotidiano”, i ka kushtuar një artikull protestave që po zhvillohen në Tiranë, ku studentët edhe sot u mblodhën përpara Ministrisë së Arsimit dhe kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Sipas medias italiane, protesta është shoqëruar me incidente dhe përplasje mes demonstruesve dhe forcave të policisë. Disa kosha mbeturinash janë përfshirë nga flakët, ndërsa protestuesit kanë hedhur gurë dhe bomba molotov. Policia është kundërpërgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës.

Të lidhura

None found

Përplasjet kanë zgjatur rreth 30 minuta. Një pjesë e turmës është tërhequr, por marshimi ka vijuar pavarësisht reshjeve të shiut, në drejtim të godinës së Kryeministrisë.

“Il Fatto Quotidiano” shkruan se protestat kundër qeverisë në Shqipëri vijojnë prej muajsh, ndërsa që nga tetori situata është bërë më e tensionuar.

Artikulli ndalet edhe te përpjekja e opozitës së drejtuar nga Sali Berisha për t’iu bashkuar protestës studentore. Sipas medias italiane, kjo përpjekje është kundërshtuar nga të rinjtë, të cilët kanë deklaruar: “Opozita jemi ne!”. Studentët madje kanë krijuar edhe një kordon për të penguar afrimin e militantëve të opozitës.

Media raporton gjithashtu se pranë Ministrisë së Arsimit janë dislokuar forca të shumta të policisë, ndërsa qeveria shqiptare ka ashpërsuar masat ndaj protestuesve, duke parashikuar gjoba deri në 5,500 euro për personat përgjegjës për akte dhune.