Pesë nga personat e thirrur për të dëshmuar në Komisionin hetimor të Sterilizimit, nuk janë paraqitur sot për të dëshmuar.
Tre shtetasit italianë, aksionerë në kompanitë e sterilizimit, për të tretën herë me radhë kanë refuzuar pjesëmarrjen në komision, duke argumentuar se për shkak të angazhimeve të tyre personale dhe të punës, nuk kanë mundësi të dëshmojnë.
Të lidhura
None found
Kryetarja e Komisionit Albana Vokshi, u shpreh se këto persona kanë përfituar miliona jo vetëm si aksionerë, por edhe si konsulentë privatë apo me kompani nënkontraktuese.
I njëjti problem është hasur edhe me dy dëshmitarët shqiptarë, Artan Lleshi dhe Altin Fani.
Vokshi u shpreh se Lleshi, refuzoi edhe dëshminë gjatë së premtes duke paraqitur një epikrizë, ndërsa për sot ka paraqitur një raport me fuqi prapavepruese “ me çudira në aspektin e afateve”.
Ajo deklaroi se dëshmia e zotit Lleshi, është konsideruar shumë e rëndësishme për komisionin, duke pasur parasysh se është mjek dhe drejtor në kompaninë koncesionare të sterilizimin.
Sipas Vokshit, ai ka edhe kompani nënkontraktore, duke përfituar miliona nga paratë e shqiptarëve.
Dëshmitari i fundit, administrator i kompanisë së sterilizimit Altin Fani, sipas Vokshit me një gjuhë arrogante ka sfiduar komisionin dhe ka deklaruar mospjesëmarrjen.
Kryetarja e Komisionit Albana Vokshi, deklaroi se për të pesë personat, Umbro Staccini , Elisabetta Anzanello, Giorgio Tardioli, Artan Lleshi dhe Altin Fani, do të veprohet në bazë të Kodit të Procedurës Penale dhe do t’i drejtohet policisë për të siguruar praninë e tyre në komision për të dëshmuar.
